Sa i rrezikshëm është gripi tek gratë shtatzëna?

Gratë shtatzëna që preken nga gripi mund të sëmuren shumë më rëndë sesa personat e tjerë. Studimet kanë treguar se gratë shtatzëna me një sëmundje respiratore nga gripi kryejnë më shumë vizita mjekësore, më shumë shtrime dhe qëndrime të gjata në spital.

A duhet të imunizohen gratë shtatzëna gjatë gripit sezonal?
Po. Vaksinimi kundër gripit është një element thelbësor i kujdesit prenatal sepse gratë shtatzëna janë më tepër të rrezikuara për të kaluar një sëmundje të rëndë dhe vdekje nga gripi. Raportet e rasteve dhe studimet tregojnë se shtatzënia mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të rënda mjekësore të gripit. Përveç kësaj, mbrojtja e nënës nga vaksina është e vetmja strategji efektive për të sapolindurit, sepse përdorimi i vaksinës rekomandohet vetëm kur foshnjat janë mbi 6 muaj.

Gjatë cilit tremujor mund të merret vaksina e gripit?
Vaksina e gripit mund të merret në çdo kohë gjatë shtatzënisë. Gratë shtatzëna këshillohen ta marrin sa më shpejt të jetë e mundur dhe të këshillohen me gjinekologun ose ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor rreth imunizimit.

Cilën vaksinë të gripit duhet të marrin gratë shtatzëna?
Gratë shtatzëna duket të marrin vaksinën e inaktivuar të gripit, e cila injektohet në rrugë intramuskulare, në krahë.

Çfarë përmban vaksina kundër gripit?
Vaksina kundër gripit sezonal përmban pjesëza të viruseve të gripit që parashikohen të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit. Këto grimca janë ato të cilat sistemi imunitar i trupit përdor për të prodhuar anti-trupat e nevojshëm për t’ju mbrojtur ju dhe fëmijën tuaj nga gripi.

Unë jam shtatzënë, a duhet të marr vaksinën e gripit?
Po. Vaksina e gripit është një mënyrë efektive dhe e sigurt për t’ju mbrojtur ju dhe fetusin nga sëmundjet e rënda dhe komplikacionet e gripit. Gratë shtatzëna dhe fetuset janë të rrezikuar ndaj komplikacioneve serioze nga gripi. Vaksina e gripit e dhënë gjatë shtatzënisë ndihmon në mbrojtjen e foshnjave më të vogla se 6 muaj, të cilët janë shumë të vegjël për të marrë vaksinën e gripit dhe nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të fituar antitrupa ndaj gripit. Vaksina ndaj gripit është aplikuar në miliona gra shtatzëna përgjatë këtyre viteve.

Share With:
Translate »
845 Views