“S’bëra fëmijë tjetër për shkak të punës”, Najada Çomo tregon zgjedhjen e vështirë: Për vajzën më vjen keq
Mjekja e njohur Najada Çomo ka rrëfyer rreth jetës së saj ditën e djeshme.
Ajo ka rrëfyer se prindërit e saj vijnë nga Vlora dhe Dibra e Madhe dhe lindën atë dhe vëllanë e saj.
“Unë kam mbaruar fakultetin dhe që të bëje një foto të bukur ishte e vështirë të gjeje veshje. Dhe nëse në foton time më sheh të veshur me një golf, të njëjtin mund t’ia shohësh edhe ndonjë shoqes sime.
Bashkëshorti im kishte ardhur në Tiranë, unë sapo isha emëruar në spital.
Një kushërira e bashkëshortit dhe shoqja ime e ngushtë u bë sebep që të bëhej një goditje mes meje dhe atij. Ishte një gjë e shpejtë që u finalizua brenda një muaji apo dy muajsh. Nuk po them se ishte një dashuri e zjarrtë nga ato që digjesh por nga ato dashuri që mbahen për të gjithë jetën.
Unë që kur isha vajzë doja të kisha një fëmijë. Nuk e di cila ishte arsyeja por unë doja vetëm një. Edhe nëna e bashkëshortit donte që të kishim vetëm një fëmijë dhe erdhi ajo që sot është vajza jonë Greis. Ajo donte shumë një motër ose një vëlla, por puna në spital kishte ngarkesë . Unë s’jam e vetmja grua që punoj në spital. Ka shumë gra që punojnë në spital dhe kanë dhe dy ose tre fëmijë. Por unë largohesha nga shtëpia për një kohë të gjatë. Ikje nga shtëpia në mëngjes dhe ktheheshe ditën tjetër. Për Grejsin më vjen keq që s’ka një motër ose një vëlla.
Unë me të kam gjithmonë në pozicionin e prindit, më tolerant ndaj saj ka qenë babai i Grejsit.
Najada Çomo ka treguar edhe se si e përjetoi periudhën e Covidit.
Mjekja ka kujtuar mes lotësh sesi e niste mëngjesin duke lajmëruar familjarët për vdekjet e të afërmve të tyre. Më e rëndë kujton Najada, ishte ku duhej të lajmërohej nëna për vdekjen e fëmijës.
“Ka qenë një nga momentet më të vështira. Ne kishim zgjedhur që informacionin për familjarët e vdekur ta jepnin në mëngjes herët jo natën. Puna ime fillonte me këtë proces, për të lajmëruar familjarët që nuk i njihja. Ka qenë shumë e vështirë të marrësh dikë dhe t’i thuash. Marrja në telefon për t’i thënë ke humbur fëmijën ishte…(përlotet). Ka qenë një nga gjërat më të tmerrshme, shpesh ja mbyllja telefonin sepse po qaja vet. Shumë e rëndë por gjërat e vështira nuk të mbajnë, ose do rrije do qaje në dhomë ose do qanin bashkë si staf. Një doktoreshë kishte babanë e shtruar rëndë, njëra vëllanë rëndë dhe ishte e tmerrshme. Ishte rregull që nuk do i shërbeje prindit tënd se afeksionoheshe dhe mund të gaboje. Kur tre nga doktoreshat, infermierët kanë humbur prindërit e tyre, mendoja se këta njerëz do dorëzoheshin. Ishin humbje të mëdha. Të humbësh prindin ku punon është e rëndë, ata u kthyen pas pak ditësh në punë. Nuk e lanë asnjëherë punën, prandaj e meritojnë mirënjohjen nga njerëzit dhe nga ana ime për punën që kanë bërë”-tregoi mes lotësh Najada Çomo.