Shkaktarët kryesorë të problemeve të shikimit

Refraksioni, strabizmi dhe problemet me shikimin janë duke prekur çdo ditë e më shumë fëmijë. Një ndikim të rëndësishëm në rritjen e kësaj incidence mendohet të këtë përdorimi i tepruar i pajisjeve teknologjike.

Eneida Rustemi, mjeke okuliste pranë shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUT, tregon për ‘Shëndet+’ se gabimi fillon tek prindërit të cilët i shohin pajisjet elektronike si lodra për të pushuar fëmija.

Ajo sugjeron qëndrimin e kontrolluar dhe jo më shumë se treçerek orë në ditë, dhe kjo me ndërprerje duke bërë herë pas here fizkulturën e syrit. Ndërkohë që bën thirrje për ndjekjen me rigorozitet të protokollit mjekësor për kontrolle të syve tek fëmijët, si një mënyrë për të parandaluar komplikacione të mëdha që çojnë deri në invalidizim të shikimit.

Cilat janë problemet më të shpeshta të shikimit që hasen tek fëmijët?

Sëmundjet e syrit te fëmijët mund të jenë të lindura ose të fituara. Dy patologjitë më të shpeshta që hasen tek këta mosha janë çrregullimet e refraksionit (numrat e syzeve) dhe strabizmi (shtrembërimi i syve nga boshti qendror), i cili mund të jetë i lindur ose i fituar. Kur nuk është i lindur, strabizmi mund të vijë si pasojë e ndonjë traume ose temperature të lartë, që ka kaluar fëmija. Ka lloje të ndryshme strabizmi. Është konvergens, kur syri shkon brenda dhe divergens kur syri shkon jashtë. Ndërkohë kemi dhe hipertropi dhe hipotrofi, kur syri lëviz lart dhe poshtë. Gjithashtu tek fëmijët e vegjël shfaqen dhe anomalitë e refraksionit, të cilat janë miopia, hipermetropia dhe astigmatizmi. Edhe këto anomali mund të jenë të lindura ose të fituara. Në bazë të defektit të boshtit të përthyerjes së rrezeve rritëse, përcaktohet se çfarë anomalie refraksioni është. Sëmundje të tjera, që janë më të rralla, janë glaukoma, katarakt ose degjenerimet distrofike retinale kongenitale.

Çfarë ndikimi kanë në drejtim të këtyre problemeve pajisjet teknologjike?

Syri është organ delikat dhe shumë i rëndësishëm, jo vetëm për fëmijët por për të gjithë ne, dhe duke qenë si i tillë, çdo rrezatim, përveç atyre normal, nuk konsiderohet i shëndetshëm. Ne këshillojmë që fëmijët të ekspozohet para kompjuterit, iPad-it, telefonave inteligjentë me orare të kontrolluara, sepse sado të kuruar mirë të jenë këto pajisje, para rrezatimeve të tyre syri është shumë delikat. Kohët e fundit ne kemi edhe shumë raste me dëmtim të shikimit si rezultat i ndryshimit të shtresës së ozonit, ku rrezatimet vijnë infra të kuqe dhe ultravioletë dhe njerëzit nuk mbrohen. Të shtuar frikshëm (5-6 vitet e fundit) kemi edhe numrin e fëmijëve (kryesisht 10-14 vjeç) që paraqesin probleme të keratokonis (një gjendje e xhamit të syrit që shoqërohet me astigmatizëm hipermetorpik ose miopik të madh (i rregullt ose i çrregullt). Sigurisht ne nuk mund të themi me siguri se pse janë shtuar këto raste, por që mendohet se një nga shkaqet kryesore mund të jenë ndryshimet në ambient, ndërkohë që pajijet teknologjike në vete mund të jenë një shtysë për t’i agravuar më tej sëmundjet.

Sa është koha e qëndrimit që rekomandohet dhe a ka ndonjë rregull/ këshillë?

Tani me fillimin e shkollës, shpesh për arsye detyrash/ projektesh, fëmijëve u duhet të qëndrojnë gjatë para kompjuterit, por që ne rekomandojmë që ky qëndrim të ketë një orar të caktuar, një afat kohor të caktuar, një pozicion qëndrimi të caktuar dhe ekrani të jetë mbrojtës.

Rekomandohet jo më shumë se treçerek ore dhe gjatë qëndrimit të bëhen ndërprerje të shkurtra 20 sekonda për të bërë fizkulturën e syrit. P.sh, nëse ka qëndruar 20 minuta duke lexuar, për 20 sekonda duhet të ngre kokën, të hedhë shikimin në një ambient tjetër, ose nga dritarja.

Fëmijëve që u skuqen sytë mund të hedhin dhe lot artificial, sepse kjo është një tjetër ankesë e qëndrimit të gjatë para pajisjeve të tilla, pra tharja e syrit. Duke qenë shumë të përqendruar në atë që bëjnë/ lojën, harrojnë të bëjnë përpëlitjen normale të syrit. Por, nëse ne nuk i mbyllim sytë, nuk shtrydhet gjëndra e lotit, dhe për pasojë nuk bëhet as lubrifikimi i duhur duke shkaktuar tharjen. Prandaj dhe kur fëmijët rrinë me orë të zgjatura para kompjuterit, i kanë ose sytë e skuqur ose u kruhen. Në fëmijët që kanë çrregullime refreksioni, ja shtojnë ose akoma më shumë ose japin dhimbje koke.

Ka shumë prindër që vijnë e thonë kjo i ka prishur sytë se shikon afër televizorit ose kjo i ka prishur sytë se ul kokën shumë kur lexon. Në fakt nuk i ka prishur fëmija! Fëmija gjen mënyra për të arritur të shikojë. Ajo shkon afër televizorit sepse nuk shikon, ul kokën shumë kur lexon sepse nuk shikon. Nuk është faji i fëmijës kjo tendencë, është faji i sëmundjes së syve që mund të ketë fëmija. Prandaj kur shikoni fëmijën që ka tendencë të afrohet afër televizorit, ul kokën kur lexon, duhet çuar patjetër për kontroll tek okulisti.

Për sa i përket qëndrimit, pozicioni në tavolinë/ libri duhet të jetë 35 cm larg, duhet të ketë dritë të mjaftueshme, më e mira do ishte drita natyrore, por edhe nëse nuk e kemi dritën natyrore, duhet të kemi një dritë mbi libër, jo mbi syrin e fëmijës dhe mundësisht drita të ngrohta.

Cili është protokolli mjekësore i vizitave të syve tek fëmijët?

Vizita e parë e fëmijës bëhet në moshën 2 vjeç- 2 vjeç e gjysëm. Vizita tjetër bëhet në moshën 5 vjeç/ parashkollore dhe 6 vjeç kur shkojnë në shkollë. Në moshën 2 vjeç e gjys bëhet për të parë dëmtime madhore ose ndonjë çrregullim të refraksionit siç është miopia, hipermetropia ose astigmatizmi hipermetropik ose miopik, që janë të lindura dhe mund të na japin dembelizëm të syrit ambliopik.

Në moshën 5 vjeçare bëhet kur fëmijët që e kanë bërë në moshën dy vjeçare mund të kenë rezultuar normal nga egzaminimi i moshës 2 vjeç- 2 vjeç e gjysëm por mund të fillojnë disa problem të tjera sepse fëmijët shkojnë në parashkollorë, fillon hipermetropia ose astigmatizmi hipermetropik ose miopik dhe fëmija ka vështirësi në shikim, kruarje të syrit, ose e përpëlit syrin shpesh/ ka gjendje diskomforti që ndonjëherë dhe vetë ne okulistët kur nëna na i sjellë për vizitë i anashkalojmë e herë i ngatërrojmë me infeksione e gjëra të lehta, por që duhet të thellohemi sepse mund të fillojë një hipermetropi që i shkakton këto çrregullime fëmijës. Dhe sigurisht në moshën 6 vjeçare, patjetër që duhet bërë sepse në atë kohë instalohet hipermetropia dhe fëmija kur shkon në shkollë do të ketë goxha vështirësi. Kontrollet e tjera bëhen në moshën 9-10 , 13-14 dhe 18 vjeç.

Sa zbatohet ky protokoll, a janë prindërit të ndërgjegjshëm për rëndësinë e tij?

Mendoj që këto 3-4 vitet e fundit prindërit janë sensibilizuar goxha, sepse ne kemi bërë dhe me mjekët e familjes goxha punë. Mjeku i familjes ose konsultori është kontakti i parë dhe ne kemi shumë raste që na i kanë sjellë mjekët e konsultorit të cilët kanë qenë të vëmendshëm dhe kanë parë që diçka nuk shkon tek ai fëmijë. Por kemi dhe plot raste që kur fëmija mbush 2 vjeç-2 vjeç e gjysmë, që prindërit i sjellin për kontroll sepse mjeku i familjes i ka ‘kujtuar’ protokollin për vizitë të syve.

Sigurisht jo të gjithë e kanë këtë sensibilizim, dhe kjo për shumë arsye (social, ekonomike etj), por atje ku funksionon mirë gjendja e konsultorit dhe mjekët janë të kujdesshëm, i drejtojnë tek ne.

Çfarë ndodh nëse problemet e shikimit nuk zbulohen në kohë?

Sa më herët të zbulohen sëmundjet e shikimit, aq më e madhe dhe e shpejtë është mundësia e rikuperimit të këtyre anomalive. Komplikacioni më i shpeshtë dhe më i vështirë për t’u trajtuar është ambliopia ose syri dembel. Sa më shpejt të zbulohet që fëmija ka një sy dembel, aq më e madhe është mundësia e trajtimit. Fëmija duhet të jetë më i vogël se 8 vjeç për të rikuperuar shikimin, prandaj zbulimi i hershëm çon në trajtimin sa më efikas dhe ul mundësinë e invalidizimit të syrit dhe shikimit. Nëse nuk kapen në kohë ( të paktën deri në moshën 8 vjeç), fëmija destinohet që të ngelet ashtu gjithë jetën.

Këshilla?

Prindërit nuk duhet t’i shikojnë smartfonët, ipadët, tabletët si lodra për të pushuar fëmija, apo për t’i lënë të qetë në punët e tyre e mos i bezdisur. Kjo është gjëja e parë që duhet evituar. Fëmijën duhet ta stimulojmë me lodra fizike, ta lëmë të luajë në natyrë, të bëjë vrap në ajër të pastër etj. Sipas një studimi të prezantuar në një kongres ndërkombëtar, thuhej se miopia e keratokonusi ulet tek njerëzit që bëjnë shumë aktivitet fizik.

Nëse jemi të detyruar ta lëmë të qëndrojë për arsye të marrjes së informacionit apo detyrave, gjithmonë me një orar të kufizuar (treçerek ore) dhe midis këtyre ta stimulojmë të bëjë fizkulturën e syve ose ta lëmë të çlodhet pak.

Gjithashtu ka të bëjë dhe mënyra e shëndetshme e të ushqyerit, sidomos kur nëna është shtatzënë. Duhet të konsumojmë sa më shumë ushqime që përmbajnë vitaminë A dhe E, të cilat janë të rëndësishme për retinën e syrit.

Të bëjnë sa më shumë aktivitet fizik. Të mos rrinë me orë të zgjatura para këtyre pajisjeve teknologjike. Të studiojnë në mënyrë të shëndetshme, të zbatojnë largësinë dhe sigurisht, detyrë e prindit të zbatojë protokollet e vizitave mjekësore.

Share With:
Translate »
1061 Views