Si duket një nënë e re direkt 24 orë pas lindjes, fotoja që bëri xhiron e rrjetit
Për Amanda Bacon, sjellja në jetë e Pierson nuk do të ishte eksperiencë e panjohur duke qenë se kjo ishte shtatzënia e dytë për gruan e re nga shteti i Karolinës së Veriut, por shumë më ndryshe nga eksperienca e parë. Sjellja në jetë e një fëmije shënon një pikë kthese në jetën e një gruaje, një moment i mbushur me emocione, dhimbje, frikë nga e panjohura, lodhje, një gërshetim i bukur mes dashurisë dhe përgjegjësisë për mirërritjen e kësaj qenieje të re, një moment për të cilin flitet shumë pak ose thuajse aspak. Shpeshherë imazhet që shohim nëpër filma ose në fotografi tregojnë gruan pas lindjes të rrethuar nga lulet e tullumbacet, me flokë të krehur dhe me një buzëqeshje shndritëse të stampuar në fytyrë, por e vërteta jo gjithmonë qëndron kështu. Për këtë arsye Amanda ka ndarë në Facebook të vërtetën e saj, atë të një nëne e cila pak orë nga lindja qëndron në këmbë me panolinën që i kishin veshur mjekët gjatë lindjes, ndërkohë që babai i ri dhe djali i porsalindur buzëqeshin para ekranit. Ka qenë bashkëshorti që ka dashur të fiksojë në celuloid këtë moment, por Amanda ka dashur ta ndajë me të gjithë, pa menduar se fotoja do të merrte mbi 200.000 pëlqime dhe me mijëra komente pozitive. Të shumta kanë qenë reagimet pozitive që kanë përkrahur qëndrimin e nënës së re dhe kanë gjetur veten në fotografi.
Amanda ka shoqëruar foton me këtë postim: ”Kjo është mëmësia e pacensuruar ! Kjo foto është e vërtetë dhe tregon si janë momentet e para pas lindjes: të rrëmujshme, të mbushura me emocion dhe dashuri, por edhe me lodhje e frikë. Të sjellësh në jetë një fëmijë është një eksperiencë e papërshkrueshme, por për jetën pas këtij momenti nuk flitet thuajse fare, aq më pak të fotografohet. ” Burimi ”Vita da mamma” /Living