Prindërit po dëmtojnë fëmijët duke u plotësuar tekat e tyre
Prindërit po dëmtojnë fëmijët e tyre duke u plotësuar çdo tekë të tyren dhe duke mos qenë të aftë t’u thonë asnjëherë “JO”.
Për shumë mësues, sjellja e keqe në klasë nuk vjen si pasojë e vetë nxënësve por nga prindërit, sipas dr. Amanda Gummer, psikologe e specializuar në zhvillimin e fëmijëve.
Fëmijët e padisiplinuar vijnë zakonisht nga familje të cilat u plotësojnë atyre çdo dëshirë dhe u japin vëmendje intensive, duke nxitur kështu zhvillimin e sindromës “perandori i vogël”.
Nga eksperienca e saj duke punuar me mësuesit e shkollës fillore, psikologja tregon se sjellja dhe qëndrimi i këtyre prindërve është edhe më e shokuese sesa e fëmijëve të tyre.
“Ata janë shumë ambicioz për të ardhmen e fëmijës – duke mos kuptuar sa keq po ndikojnë në përgatitjen e tyre për t’u përballur me jetën reale”, thotë ajo.
Përveçse i pengojnë fëmijët të marrin vetë vendime apo të jenë të pavarur, ata bëhen edhe më agresivë dhe të vështirë.
Këta fëmijë e kanë të vështirë të qëndrojnë në klasë sepse nuk e përballojnë dot faktin që nuk janë gjithmonë të parët. Ata janë rritur me besimin se gjithçka u përket atyre dhe bëjnë çdo gjë për të marrë vëmendjen të parët.
Kjo sjellje e fëmijëve të padisiplinuar mirë i acaron edhe më shumë mësuesit.
Studime të mëparshme kanë treguar se prindërit të cilët vendosin shumë kontroll mbi fëmijët mund t’u shkaktojnë atyre dëmtime psikologjike me kalimin e viteve.
Një studim i vitit 2015 nga Kolegji Universitar i Londrës, ku u monitoruan mbi 5000 persona që nga lindja, zbuloi se individët, prindërit e të cilëve kishin ndërhyrë në privatësinë e tyre në një mënyrë të caktuar, ishin më pak të lumtur në adoleshencë, 30-at, 40-at dhe më vonë.
Fëmijët kanë nevojë për rregulla, kufij dhe mundësi për të ndjerë të ftohtin, urinë, të bien dhe të ngrihen vetë, kështu ata mund të mësojnë nga gabimet e tyre.
Nëse deprivohen nga këto eksperienca bazike të jetës në shtëpi, e bën më të vështirë edukimin e tyre nga mësuesit.