Si ra policia në gjurmët e 4 vjeçares australiane të zhdukur?

Në fillim të 3 nëntorit, policia gjeti në një shtëpi në qytetin australian të Carnarvon,  një vajzë katër vjeçare e cila ishte zhdukur prej 18 ditësh. Cleo Smith u zhduk nga tenda e familjes së saj në një kamping pranë Carnarvon më 16 tetor, duke shkaktuar një operacion masiv kërkimi, shkruan BBC

Një 36-vjeçar është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Ja çfarë dimë për rastin dhe si ra policia në gjurmët e  Cleo.

Familja e Cleos po shijonte pushimet në kampingun Quobba Blowholes kur ajo u zhduk midis orës 01:30 dhe 06:00 më 16 tetor. Cleo ishte duke fjetur në një dyshek me ajër pranë krevatit të motrës së saj më të vogël. Kur nëna e saj u zgjua në mëngjes Cleo ishte zhdukur ndërkohë që dera e tendës ishte e hapur.

Një operacion i madh kërkimi që përfshinte një grup pune prej më shumë se 100 oficerësh nisën hetimet për gjetjen e 4 vjeçares. Zëvendës Komisioneri i Policisë së Australisë Perëndimore, Col Blanch e ka përshkruar rastin si të kërkosh “një gjilpërë në një kashtë”.

Polica kërkoi në ajër, tokë , det duke përdorur drone për të hartuar në mënyrë forenzike çdo zonë,  madje kontrolloi qindra thasë me mbeturina në anë të rrugës përgjatë një shtrirje 600 km të Australisë Perëndimore. Duke folur me gazetarët të enjten, detektivi Rod Wilde tha se duhej të analizonin “qindra mijëra” prova dhe dëshmi.

Autoritetet ofruan gjithashtu një shpërblim prej 1 milion dollarë Australianë për këdo që jepte informacione mbi vendndodhjen e Cleos. Policia nuk ka zbuluar detajet se çfarë gjurmësh ndoqën që i çoi në shtëpinë në Carnarvon, ku e gjetën Cleo-n  të gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Komisioneri Dawson i dha gazetarëve informacione “me të vërtetë të rëndësishme” në lidhje me një makinë që e ndihmuan policinë të gjente shtëpinë të mërkurën.

Detektivi Wilde tha se policia ishte në gjendje të “ndërtonte skenën  e rrëmbimit” duke grumbulluar të gjithë informacionin që mori dhe duke “vendosur njerëzit në vende të caktuara në kohë të caktuara”. Ai shtoi se gjërat ishin bërë më të “qarta” pasditen e së martës, gjë që i bëri ata të arrestonin të dyshuarin e tyre. Sipas raporteve të mediave sociale një burrë u arrestua disa orë përpara se policia të shpëtonte Cleo.

I dyshuari u përpoq të vriste veten dhe u dërgua në spital. Por tani ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është rikthyer në paraburgim për të vazhduar me hetimet. Policia beson se autori ka vepruar i vetëm. Por hetimet për ngjarjet e asaj nate ende nuk kanë përfunduar, raporton abcnews.al

Policia ende po përpiqet të zbardhë saktësisht se çfarë ka ndodhur. I arrestuari po merret në pyetje, gjithashtu policia u ka bërë thirrje edhe bizneseve dhe individëve të zonës që tu dorëzojnë pamjet e kamerave nga 15 tetori deri më 2 nëntor. Ka ende shumë gjëra që nuk dimë për rrëmbimin e  Cleos. Policia tha se ka ekspertë që do ta intervistojnë atë, por paralajmëroi se mund të duhen ditë përpara se të marrin ndonjë informacion të dobishëm.

Familja e saj gjithashtu po  këshillohet  nga ekspertë për hapat e ardhshëm në lidhje me mirëqenien e Cleos dhe avancimin e çështjes.

Share With:
Translate »
163 Views