Si të kujdeseni për dhëmbët tek fëmijët me aftësi të kufizuar

Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë disa veçori lidhur me zhvillimin e gojës dhe problematikat e saj. Përkujdesja për personat me aftësi të kufizuar është shpesh e vështirë dhe kërkon aftësi dhe durim. Kujdesi dentar për këta persona nuk është i lehtë, megjithatë kjo nuk duhet të shërbejë si shkak për të lënë pas dore kujdesin për këta persona.

Te aftësitë e kufizuara futen:

Sindroma Down dhe prapambetja mendore
Autizmi
Paraliza cerebrale
Shurdhmemecët
Verbëria
Paraplegjikët dhe tetraplegjikët
Sindroma të ndryshme
Ç’duhet të kemi parasysh kur kujdesemi për fëmijët me aftësi të kufizuara

Vendi.

Nuk ka rëndësi vendi se ku do të lahen dhëmbët, banja nuk është i vetmi vend për larjen e dhëmbëve. Dhëmbët mund t’i lajmë edhe në kuzhinë apo në dhomë. Për disa aftësi të kufizuara është më e lehtë që këtë procedurë ta kryejmë duke e ulur personin afër tavolinës. Vendi duhet të jetë i ndriçuar mirë, në mënyrë që ne të kemi fushëpamje të mirë. Në rastet e paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe paralizës cerebrale, pozicioni ulur (karrocë, karrige) është i vetmi vend ku mund të kryhet larja e dhëmbëve.
Sjellja e fëmijëve me aftësi të kufizuar shpesh është e vështirë për shkak të prapambetjes mendore dhe intelektit të kufizuar që ata kanë, kjo e bën të vështirë kujdesin dentar. Fëmijët me aftësi të kufizuar shpesh frikësohen ose acarohen kur ne përpiqemi të kujdesemi të pastrojmë gojën e tyre. Ankthi dhe frika janë dukuri e zakonshme tek këta persona, duke i bërë jo-bashkëpunues.

Kapaciteti mendor dhe fizik i fëmijës.

Fëmijët me aftësi të kufizuar kanë kapacitet mendor dhe fizik më të ulët se fëmijët e tjerë. Prindërit duhet të kenë kujdes dhe të kenë parasysh aftësitë e tyre intelektuale dhe motore (lëvizjet), si dhe aftësitë e të shprehurit. Në disa raste këta persona kanë lëvizje të pakontrolluara ose e kanë të pamundur të kujdesen për veten e tyre. Prindërit duhet të pozicionohen mirë e të marrin masa për t’i vendosur këta persona në pozicione sa më të përshtatshme për larjen e dhëmbëve.

Këshilla praktike për kujdesin oral

Përdorni gjithmonë metodën shpjego-trego-kryej për të bashkëpunuar me fëmijën. Tregojeni se si duhet të veprojë duke e demonstruar tek vetja dhe duke e lënë fëmijën të kryejë veprimin tek ju.

Jepini kohë fëmijës që të mësojë e të përshtatë atë që mësoi për kujdesin dentar. Jini të duruar dhe të qetë, në këtë mënyrë do të fitoni besimin e fëmijës për procedurat që do kryeni.
Përdorni zërin dhe trupin tuaj për të komunikuar me fëmijën.
Bëjeni rregull kujdesin dentar duke përdorur të njëjtën teknikë, duke e kryer në të njëjtën orë e vend çdo ditë.

Bëhuni kreativ. Zhvillojeni kujdesin oral si lojë. Jepini fëmijës lodrat që ai ka qejf ose muzikën që pëlqen më shumë gjatë kohës kur i pastroni gojën.
Pozicionimi i saktë gjatë pastrimit të gojës është i rëndësishëm për sigurinë e fëmijës dhe për të shmangur aksidentet e mundshme.
Koha më e përshtatshme për larjen e dhëmbëve është në mëngjes dhe në darkë, përpara se të flenë, por mund të mos jetë për këta fëmijë. Mund të jetë më e lehtë gjatë kohës kur fëmija është më i relaksuar.
Përdorni gishtat me kujdes për të hapur buzët dhe faqen në mënyrë që të shihni më mirë dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve.
Larja e dhëmbëve duhet të kryhet në mënyrë të tillë që asnjë sipërfaqe e dhëmbëve të mos lihet pa pastruar.

Lani mirë duart ose vishni doreza kur ndihmoni persona me aftësi të kufizuar gjatë kujdesit oral.
Si të gjithë individët e tjerë, edhe personat me aftësi të kufizuar mund të kenë një higjienë të mirë. Larja e rregullt, dieta e duhur, përdorimi i fillit dentar dhe vizitat e rregullta tek dentist janë komponentët më të rëndësishëm për të patur një higjienë të mirë orale.

Si të lajmë dhëmbët tek fëmijët me aftësi të kufizuara

Prindërit apo personat që kujdesen për këta persona duhet të kenë parasysh:

Zgjedhja e furçës ka një rëndësi të veçantë. Prindërit duhet të kenë parasysh që bishti i furçës të jetë i trashë në formë B. Në disa raste prindërit mund t’i përshtatin vetë bishtat, duke futur një top tenisi mes përmes bishti, ose dorezën e biçikletës, ose duke i zgjatur me një vizore ose spatula druri. Megjithatë sot në treg ka furça të posaçme për fëmijët me aftësi të kufizuar. Furçat elektrike me qime të buta janë një alternativë e mirë për të pastruar gojën e personave me aftësi të kufizuara.
Njomeni furçën (nëse fëmija ka rrjedhje të pështymës nga goja nuk është e nevojshme) dhe vendosni një sasi paste dhëmbësh sa një kokërr bizeleje.
Vendosni qimet e furçës me kënd 45 gradë me gingivat dhe ushtroni presion të lehtë duke lëvizur para-prapa me lëvizje të shkurtra. Në këtë mënyrë pastroni pjesën e përparme dhe të brendshme të dhëmbëve, të sipërme e të poshtme.
Poziciononi furçën në mënyrë vertikale për të pastruar anën e brendshme të dhëmbëve të përparme, bëni lëvizje para-prapa për të pastruar sipërfaqen e brendshme.
Për personat me lëvizshmëri të limituara metoda të tjera për larjen e dhëmbëve. Një nga këto metoda është ajo me lëvizje ‘rrethore’. Dhëmbët e fëmijës qëndrojnë të mbyllur dhe me kujdes futni furçën duke zhvendosur faqen. Ushtroni presion të lehtë duke kryer lëvizje rrethore të shpejta.
Pas larjes së dhëmbëve, mos harroni të pastroni gjuhën. Gjuha pastrohet me një furçë të posaçme, por në pamundësi të kësaj furçe, mund të përdorni furçën e dhëmbëve.
Pas larjes së dhëmbëve goja duhet të shpëlahet me ujë. Personat që nuk mund ta shpëlajnë gojën duhet që goja tju pastrohet me një garzë të mbështjellë rreth gishtit tregues.

Share With:
Translate »



651 Views