Si të përgatisim fëmijët me aftësi ndryshe për fillimin e shkollës?

Fillimi i shkollës është një nga momentet më të bukura, por edhe më të rëndësishme në jetën e të gjithë fëmijëve. Nisja e saj me sukses është premtim për arritjen e mëtejshme të fëmijës, por jo për të gjithë ky fillim është njësoj.

Fëmijët hasin vështirësi të shumta, jo vetëm se përballen me një mjedis të ri, me shokë e shoqe të reja, pa praninë e prindërve etj., por hasin vështirësi të shumta edhe në mësimin e shkronjave, numrave, të shkruarit, të lexuarit etj. Këto vështirësi bëhen edhe më të theksuara për fëmijët me aftësi ndryshe, të cilët nuk e kanë të lehtë përshtatjen e ndryshimin e rutinës.

Prandaj është e rëndësishme të flitet në mënyrë më konkrete dhe specifike, duke orientuar prindërit se si të veprojnë me fëmijët e tyre. Pavarësisht, se ata do të kenë pjesëmarrje të vazhdueshme në shkollë, përfshirjen në planin PEI, takimet me mësuesit etj., ata duhet të dinë më konkretisht si të përgatisin fëmijët e tyre.

Më poshtë po listojmë disa mënyra:

  1. Njihuni dhe komunikoni me mësuesen/in e fëmijës suaj

Përpara se të çoni fëmijët tuaj në shkollë, njihuni me mësuesen/mësuesin e tyre. Shkoni në shkollë dhe takoni drejtpërdrejt mësuesen kujdestare të klasës. Bisedoni me atë rreth nevojave të fëmijës suaj, gjendjes dhe gatishmërisë për të bashkëpunuar. Gjithashtu, diskutoni sesi mësuesi do të komunikojë me ju. Mësuesit janë të ndryshëm dhe kërkesat e secilës klase janë të ndryshme. Kështu që, ju duhet të zgjidhni komunikimin që do të përdorni si me anë të telefonit, ose mund të lini një fletore ku mësuesi të shkruajë gjithçka për tu orientuar sesi të ndihmoni fëmijën për detyrat. Kjo njohje e parë do të krijojë një “urë” komunikimi efektiv për gjithë vitin.

  1. Vizitoni klasën me fëmijën tuaj

Është e rëndësishme që ta sillni fëmijën në shkollë, përpara se të fillojë shkolla. Ju mund të zgjidhni një ditë, madje edhe disa ditë, që të vizitoni shkollën, duke e njohur fëmijën me ambientin, mësuesen, klasën etj. Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e disa shqetësimeve të fëmijës suaj. Fëmijët janë të ndryshëm dhe kanë vështirësi në përshtatje. Por ju mund t’i tregoni mjedisin, bankat, madje mund të merrni lodrat e preferuara dhe të zhvilloni disa lojëra me fëmijën tuaj. Kjo do të krijojë një lidhje argëtimi dhe fëmija do të dëshirojë të vijë sërish aty.

  1. Njihuni me mësuesin mbështetës/ndihmës

Gjithashtu, ju duhet të njihni edhe mësuesin mbështetës/ndihmës, pasi ai është personi që do të punojë drejtpërdrejt me fëmijën tuaj. Takoni atë dhe diskutoni mbi gjendjen dhe nevojat e fëmijës suaj. Po kështu, takoheni edhe me fëmijën tuaj, që ai të krijojë njohje dhe të dëshirojë të qëndrojë me atë. Prezantoheni me fëmijën tuaj dhe tregojini, që është një person i afërt që do ta ndihmojë, do ta argëtojë, do të luajë me atë etj. Nga ana tjetër edhe mësuesi mbështetës duhet të bëjë rolin e tij, pasi është i specializuar në këtë drejtim.

  1. Krijoni rutina para fillimit të shkollës

Rutina është shumë e rëndësishme për fëmijët, sidomos me aftësi ndryshe. Ata e kanë më të vështirë përshtatjen, nga ndryshimi i saj. Prandaj, ju duhet të filloni të ndërtoni rutina, përpara se të fillojë shkolla. Mundohuni të mësoni të zgjoni fëmijët tuaj herët, në mënyrë që të jenë të mësuar me kohën e shkuarjes në shkollë. Po kështu, dilni me fëmijën në orarin kur fillon shkolla, ose shkoni diku me autobus, që fëmija të fillojë të mësojë rutinën e të shkuarit në shkollë, që me përgatitjen, marrjen e autobusit dhe mbërritjen në shkollë. Gjatë ditës zhvilloni aktivitete dhe lojëra të shumta, që fëmija të ndihet i përfshirë gjithë kohën dhe të jetë i gatshëm për të shkuar herët në shtrat. Është mirë, që fëmijët të shkojnë përpara orës 22:00 në shtrat, për të pushuar dhe bërë një gjumë të mirë. Këto mënyra do e ndihmojnë fëmijën tuaj të rivendosë orën dhe të jetë i përgatitur me rutinën e përditshme të shkollës. Për këtë mund të përdorni edhe grafikët me imazhe, ku fëmija të orientohet më mirë se çfarë duhet të bëjë.

  1. Mbani lidhje me fëmijën tuaj

Lidhja me fëmijën tuaj ka shumë rëndësi për atë. Ai do të jetë në shkollë pa praninë tuaj. Prandaj ju duhet ta përgatisni, që do të jetë vetëm, por që ju nuk do lini asnjëherë. Kështu ju mund, të përgatisni ëmbëlsirat e preferuara të fëmijës suaj, një kuti me shënime për fëmijën, ose mund të vendosni një fotografi në xhepin e xhaketës. Kjo vlen edhe për prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe. Në sajë të tyre fëmijët do t’iu kujtojnë dhe do të mendojnë se nuk i keni harruar.

  1. Krijoni një histori sociale

Fëmijët janë imitues dhe shpesh ndjekin modelet e të tjerëve. Prandaj, është mirë që ju t’i lexoni fëmijës suaj tregime të fëmijëvë, që shkojnë në shkollë. Ose ju mund t’i tregoni shembuj të motrave, vëllezërve, të afërmve, shokëve, shoqeve që shkojnë në shkollë. Madje është mirë ta shoqëroni me deklarata të vetë fëmijëve, të cilët i tregojnë për shkollën dhe eksperiencat e tyre në të. Gjithashtu, mund të përdorni edhe foto dhe imazhe të fëmijëve në shkollë, gjatë aktiviteteve të ndryshme të zhvilluara. Kjo mënyrë rrit dëshirën dhe kuriozitetin e fëmijës për të ndjekur shkollën.

  1. Zhvilloni lojëra dhe aktivitete të ngjashme me shkollën

Për të përforcuar tek fëmija idenë e shkollës, ju mund të zgjidhni të zhvilloni lojëra që lidhen me atë, p.sh ju mund të luani me “mësuese” me fëmijën tuaj. Kjo lojë krijon në imagjinatën e tij idenë e shkollës, të kryerjes së detyrave etj. Gjithashtu, ju mund të zhvilloni me fëmijën tuaj dhe fëmijë të tjerë, aktivitete sportive, lojëra, konkurse  etj., që fëmija të krijojë më mirë idenë e funksionimit të shkollës. Ju krijoni lidhje dhe miqësi edhe me shokë, shoqe që do të ketë në shkollë. Kjo e ndihmon atë ta ketë më të lehtë përshtatjen, nëse njeh më parë disa prej tyre, mjedisin dhe mësuesen.

Këto janë disa mënyra sesi të përgatisni fëmijën tuaj, por sigurisht që nuk janë absolute. Ato i ndihmojnë prindërit, të përforcojnë, edhe më shumë, duke i përdorur krahas mënyrave të tyre të përhershme.

E rëndësishme, është që ju të zgjoni tek fëmijët dëshirën për shkollë dhe të synoni suksesin e tyre të mëtejshëm.

Burimi / https://humanum.al/

Share With:
Translate »
183 Views