Si të rigjeni energjitë për familjen dhe punën pas një nate të pagjumë

Pushimi i keq shpesh bëhet shkak i nervozizmit! Por me strategjitë e mëposhtme ju do të mund të rikuperoni shpejt forcat për të përballuar impenjimet pas një nate të pagjumë

Strategjitë

Britmat këmbëngulëse të fëmijës, vapa, ankthi prej afrimit të afatit përfundimtar të një detyre apo impenjimi në punë…bëhen shkak për të kaluar një natë të “bardhë”. Problemi lind në mëngjes, kur duhen përballuar medoemos impenjimet familjare të ditës dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me fëmijët, si për shembull me shoqërimin e tyre në ndonjë vend, ndihmën e ofruar për detyrat gjatë pushimeve, ndjekjen nga pas nëse janë në fazën e çuarjes në këmbë etj. Pra, ajo për të cilën kanë nevojë më së shumti zonjat e shtëpisë është marrja e energjive të reja.

Duke u nisur nga mëngjesi dhe nga aktivitetet sportive, te bërja e një dushi të ftohtë, ju do të mund ta përballoni mjaft mirë ditën pas një nate të cilën e keni kaluar zgjuar apo me probleme gjumi.

Sapo të zgjoheni, lëvizni

Duket si një këshillë paradoksale, por në të vërtetë nuk është kështu! Në fakt, praktikimi i paktë i një aktiviteti fizik pasi keni kaluar një natë të “bardhë” është i dobishëm për të rifituar energjitë. Në fillim do të ndiheni shumë të lodhur dhe të privuar nga forcat. Por, pas minutave të para, do të provoni ndjesinë e një përmirësimi të aspektit si fizik ashtu edhe psikik. Ndaj, çfarë mund të bëni? Ecje, vrap të lehtë, shtriqje ose disa ushtrime me pesha.

Mëngjesi i pandashëm

Për të rifituar energjitë fizike dhe mendore, po ashtu edhe humorin e mirë, është e nevojshme që të mos shmangni kurrë mëngjesin. Megjithatë, zakonisht, kushdo që fle keq gjatë natës, në mëngjes ndien uri të madhe. Ajo që ka rëndësi ka të bëjë me faktin se mëngjesin duhet ta konsumoni të plotë dhe të bollshëm për të rizgjuar ndijimet dhe shqisat pas lodhjes. Edhe më mirë do të ishte nëse atë do ta shijonit në ajër të freskët dhe jo në shtëpi.

Bëni dush duke shmangur ujin e nxehtë

Vaska e mbushur me shkumë aromatike është më shumë relaksuese nga sa imagjinohet. Por ajo nuk këshillohet pas një nate pa gjumë, pasi nevoja për t’u relaksuar dhe për të fjetur do të bëhej edhe më e madhe. Është më mirë të bëni një dush të freskët të shoqëruar me muzikën tuaj të preferuar. Në këtë rast, do të bënit mirë të zgjidhnit një kolonë zanore me ritëm duke shmangur këngët e lehta dhe shumë të qeta. Megjithatë mos zgjidhni as një muzikë e cila mund t’ju bëjë nervozë. Rregulli është: “po” humorit të mirë dhe “jo” ankthit.

Rrethojeni veten nga parfumet

Kur ndjeni një dobësi të madhe, veprimi i parë që duhet të bëni është nuhatja e një parfumi të fortë. Ai do të mund t’ju zgjojë vërtet. Por nëse nuk ju pëlqejnë parfumet ju mund të përdorni për shembull vajin esencial të mentës, por edhe borzilokun, nenexhikun ose limonin. Mundohuni që në çantën tuaj të mbani njërin prej tyre.

Mos përdorni makinën, por ecni në këmbë

Nëse keni fjetur pak dhe keq është e këshillueshme të shmangni makinën dhe të bëni një shëtitje. Kjo sepse, së pari, dhënia e makinës me një gjendje tejet të lodhur është e rrezikshme si për veten ashtu edhe për të tjerët, dhe së dyti, nervozizmit nga pagjumësia do t’i shtohej ankthi i gjetjes së parkingut dhe padurimi për të kaluar trafikun. Më mirë të shmangni edhe biçikletën, nëse reflekset nuk janë në maksimum. Pra ecni nëse e keni të mundur, nëse jo përdorni transportin publik. Do të ishte më mirë nëse do të dëgjoni muzikë “ad hoc” dhe të lexoni revista me përmbajtje të lehta.

Share With:
Translate »
581 Views