Si të veproni kur foshnjës i dalin puçrra në fytyrë?
Lëkura e fëmijës së vogël nuk është gjithnjë e lëmuar, e pastër dhe perfekte. Në disa raste sidomos gjatë javëve të para të jetës, lëkura e foshnjës duket si e një “adoleshenti” pasi në faqet e tij të njoma dalin puçrra.
Por puçrrat e të sapolindurve nuk janë probleme patologjike, por vetëm një çrregullim hormonal gjatë shtatzënisë që konsiderohen akne neonatale. Ndodh shpesh që prindërit të shqetësohen nga puçrrat e bebes, duke menduar për ndonjë alergji apo sëmundje të stinës.
Ekspertët pediatër sqarojnë se si alergjitë edhe sëmundjet e para infektive janë thuajse të pamundura në muajt e para të jetës së fëmijës.
Sistemi imunitar i të voglit, siç raporton noa.al është ende në formim dhe në organizmin e tij ka antitrupa të nënës të cilët vazhdojnë të mbrojnë fëmijën, pra thënë thjeshtë është një problem hormonal.
Zakonisht këto akne shfaqen gjatë javës së tretë të jetës, ndërsa ndodh që të shfaqen edhe në momentet e para të lindjes, ku më të prekurit zakonisht janë fëmijët e seksit mashkull.
Gjithsesi nga ana e doktorëve këshillohet që të mos ngacmohen fare këto puçrra, pasi me kalimin e ditëve këto puçrra zhduken, ndaj gjatë kësaj kohe mund të përdoret thjesht një krem zbutës.