Si t’i ndihmojmë fëmijët të kenë rezultate më të larta në shkollë?
Një studiuese shumë e njohur e zhvillimit të fëmijëve, Maria Montessori e ka identifikuar mendjen e një fëmije me një sfungjer, duke e përcaktuar atë si “mendje përthithëse”. Sistemi i neuroneve në trurin e fëmijës karakterizohet nga vetia e përthithjes, duke marrë kështu çdo stimul ose informacion që ndodhet në mjedis.
Studimet dhe praktika shkollore kanë treguar se procesi i të mësuarit tek fëmijët nuk është i shkëputur nga përvoja e tyre emocionale në familje, në shkollë apo me shokët. Reagimet e të tjerëve ndikojnë shumë tek motivimi që një fëmijë ka për të mësuar me vetëdije dhe jo vetëm për të përthithur pa filtra.
Procesi i të mësuarit është një proces i ngadaltë dhe i ndryshëm për secilin fëmijë. Disa herë të rriturit, kryesisht prindërit dhe mësuesit, kërkojnë ta përshpejtojnë këtë proces me dëshirën e mirë që fëmija të ketë rezultate më të larta në shkollë. Nganjëherë, me ose pa vetëdije, ata përdorin krahasimin mes fëmijëve.
Studimet sugjerojnë që qasje të tilla, shpeshherë krijojnë efekte negative tek fëmijët që kanë një ecuri më të ngadaltë:
- duke i demotivuar;
- duke i dhënë idenë që nuk janë mjaftueshëm inteligjentë;
- duke i nxitur të kërkojnë mënyra për të mos thënë të vërtetën;
- duke nxitur reagime agresive ndaj shokëve të klasës që kanë rezultate më të mira.
Megjithëse flitet për disa shtylla zhvillimi, secili fëmijë ka trajektoren e tij të zhvillimit dhe kohën e tij të përshtatshme për të përthithur dije dhe për të zhvilluar aftësi. Si prindër dhe mësues, mund të vazhdojmë të kërkojmë që fëmija të ketë rezultate më të mira në shkollë, por duke ndjekur një rrugë të ndryshme nga krahasimi mes fëmijëve, imponimi ose frustrimi.
Disa strategji që në bazë të praktikës klinike dhe të studimeve shkencore rezultojnë të suksesshme në këtë proces janë:
1. Motivimi i vazhdueshëm për çdo hap, sado të vogël, përpara. Për një fëmijë është shumë e rëndësishme kur vlerësohet nga i rrituri për përpjekjen e tij në secilin nga hapat;
2. Zhvillimi i pikave të forta. Të gjithë fëmijët kanë një pikë të fortë që ne si të rritur duhet t’i ndihmojmë ta gjejnë e ta zhvillojnë;
3. Nxitja për të bërë hapa përpara, duke vëzhguar hapat e fëmijës që kemi përballë, dhe jo të një fëmije tjetër. Është e rëndësishme që fëmija të zhvillohet dhe të bëjë hapa përpara, por pa krahasuar hapin e tij me atë të dikujt tjetër;
4. Ndani objektivat në hapa të vegjël. Për shembull: nëse një fëmijë aktualisht merr notën 7 në Gjuhë shqipe, mund ta nxisim të arrijë tek nota 8 dhe ta motivojmë gjatë këtij procesi. Duhet kohë përpara se të arrijë një notë më të lartë dhe është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë gradual;
5. Ndërgjegjësimi se ajo që prindërit dëshirojnë për fëmijët e tyre, nuk është gjithmonë ajo që fëmijët ëndërrojnë për veten e tyre. Disa herë të rriturit kanë ëndrra që kanë dashur t’i realizojnë e nuk kanë mundur dhe kështu përmes fëmijës së tyre, kërkojnë t’i shohin të realizuara. Fëmijët nuk janë vazhdim i ëndrrave të të rriturve dhe ne si të rritur duhet t’u krijojmë kushtet që ata të ndjekin ëndrrat e tyre.
Së fundmi, është shumë e rëndësishme që fëmijëve t’u krijojmë kushtet që ata të zhvillojnë maksimalisht potencialin e tyre, por është po aq e rëndësishme që t’ua lehtësojmë këtë proces që ata të ndjehen të dashur, të mbështetur dhe të lumtur.
Studimet kanë vërtetuar se fëmijët që ndihen të dashur dhe të vlerësuar, janë ata që kanë edhe rezultate më të larta në shkollë.
/Megi Shllaku PHDC