Spiropali: Do isha gati të 10-fishoja pensionet e nënave tona, por…
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nga Kuvendi tha se qeveria ka rritur herë pas here pensionet, ndërsa shtoi se po të ishte e mundur do t’i 10-fishonte. Sipas Spiropalit, ndaj të moshuarve kemi një borxh moral dhe financiar.
Spiropali: Ka një gjë që na bashkon të gjithëve në këtë sallë, por dhe ata që protestojnë me zhurmë jashtë. Po ju zoti Xhaferri i rrini besnik gjërave që lexoni. Brezi ynë, të gjithë që kemi prindër, kemi një borxh moral dhe financiar për ata. Ne nuk kemi mundur që të bëjmë më shumë për të gjithë ata që prodhonin grurë, apo qetësonin plagë, apo ata që mësonin. Shpërblimi moral që kanë marrë ka qenë i kundërt. Shpesh i kanë quajtur skllevër. Ne kemi bërë sa kemi mundur. Pensionet janë indeksuar në 2008, në 2013, apo dy herë të tjera më vonë. Buxheti këtë vit ishte 5.4 mld për këto indeksime. Për pensionistët janë dhënë bonuse.
Totali i bonuseve është 31 mld lekë në 5 vitet e fundit. Qeveria ka kompensuar çmimin e energjisë për pensionistët e vetmuar. Ky lloj kompensimi jemi të vetëdijshëm që nuk është i mjaftueshëm, por totali i parave nga buxheti, ka mbërritur në 22.5 mld lekë. Këto debate që duhet të bëhen këtu dhe ndërpriten herë pas here nga debatet shterpë të luftës politike, kush e ka e kush nuk e ka vulën… na marrin kohë për të diskutuar këto që janë të vërteta. Opozitarizmin e shihni si llixhën çudibërëse që ju pastron nga e shkuara. Ju që jeni ende jashtë normalitetit të sistemit politik, pak keni për të thënë për sistemin e ekonomisë.