Studimi: Mos i ndihmoni fëmijët për të bërë detyrat e shkollës!

A mund të jetë kundërproduktive ndihma që u ofrojnë prindërit fëmijëve të tyre për të bërë detyrat e shtëpisë që ua japin mësuesit në shkollë? Ky dyshim erdhi nga studiuesit e Universitetit të Teksasit në Austin dhe nga Universiteti Duke, të cilët kanë kryer një studim për të vlerësuar lidhjen mes përfshirjes prindërore dhe performancës së tyre akademike.

Rezultati: pjesa më e madhe e formës së pjesëmarrjes së matshme të prindërve, ka sjellë pak përfitime shkollore për fëmijët, pa marrë parasysh nivelin arsimor të nënës dhe babait. Konkluzioni, për të cilin The Atlantic i ka dedikuar një artikull të gjatë, është botuar në librin The broken compass (Busulla e thyer) dhe është firmosur nga profesorët e sociologjisë, Keith Robinson e Angel Harris. “Kemi mbetur të habitur nga rezultati, duke pasur parasysh se që nga vitet ’70, kultura amerikane është përqendruar shumë në rritjen e përfshirjes së prindërve në shkolla”, ka thënë Keith Robinson në një intervistë. Por vendimi i të dhënave ka qenë i qartë: ajo që përftohet është një marrëdhënie reciproke. Duke u nisur që nga shkolla e mesme, përfshirja e prindërve në detyrat e shtëpisë së fëmijëve, ka një ndikim negativ në rezultatet e provimeve që ata bëjnë. Në të njëjtën mënyrë, fëmijët e prindërve që takohen shpesh me mësuesit dhe drejtorët, duket se përmirësohen në mënyrë më të ngadaltë në krahasim me fëmijët, prindërit e të cilëve janë më pak të pranishëm në shkollë. Ndërkohë, ndërhyrjet, si vëzhgimi në klasë, ndihma për të zgjedhur drejtimin e studimeve, zbatimi i rregullave strikte për të bërë detyrat e shtëpisë, janë një bumerang i vërtetë për nxënësit dhe studentët. “Pjesa më e madhe e prindërve, pavarësisht nga raca, nga përkatësia sociale dhe nga mosha, rezulton joeficiente në ndihmën që u japin fëmijëve të tyre për të bërë detyrat e matematikës, gjuhës, historisë, letërsisë, gjeografisë etj.”.

Arsyet?

“E vështirë të thuhet me siguri të plotë. Ndoshta vjen për shkak të një lloj hendeku mes brezave. Konkretisht, në fund të shkollës së mesme, aftësia e prindërve për t’i ndihmuar fëmijët në detyrat e shtëpisë ulet ndjeshëm, sepse ata nuk e njohin programin e tyre mësimor ose e kanë harruar komplet atë.” Pavarësisht kësaj, sipas të dhënave, nga një studim i fundit i kryer në Britaninë e Madhe, angazhimi i prindërve është shumë i përhapur: dy ndër tre prindër ndihmojnë fëmijët për detyrat e shkollës që nga mosha 5 deri 15 vjeç, ndërsa një nga gjashtë prej tyre, jo vetëm që i ndihmojnë, por edhe ua bëjnë vetë detyrat, që nga fillimi deri në fund; dhe shumë shpesh këtë gjë e bëjnë për të mbajtur familjen në paqe ose për të mbrojtur fëmijën nga një dështim. “Ndonjëherë, prindërit ndërhyjnë edhe nisur nga ndjenja e hipermbrojtjes”, konfirmon psikologia dhe psikoterapistja, Francesca Broccoli. “Një përgjigje tjetër mund të gjendet tek e kaluara shkollore e prindërve, e cila, në rast se ka qenë e keqe, ata nuk duan që të përsëritet te fëmija e tyre ose kur ka qenë e ndritur, prindërit kanë tendencën që ta trashëgojnë patjetër te pasardhësit.” Pra, këto “arsye”, sociologët i quajnë të gabuara. “Përkundrazi, fëmijët do të përfitonin dhe do të dilnin me rezultate më të mira në shkollë, nëse ata do të kishin një dimension të lirë, larg ‘prangave’ të së kaluarës së prindërve”, përfundon Broccoli.

Receta e suksesit në shkollë për fëmijët tuaj:

Shoqërizimi me njerëz të arsimuar

Megjithatë, nuk duhet mohuar fakti se ndihma në këtë drejtim për fëmijët është e rëndësishme. Studiuesit mbështeten në faktin se përfitimet më të mëdha për rritjen e fëmijëve, sidomos në nivelin arsimor, do të vinin nëse ata do të mirëshoqëroheshin me persona të rritur të arsimuar dhe me karriera interesante.

Krijimi i ambientit të duhur për detyrat e shtëpisë

Disa fëmijë preferojnë që detyrat t’i kryejnë menjëherë pas shkollës, ndërsa të tjerë preferojnë që më parë të pushojnë. Lëreni fëmijën tuaj të gjejë rutinën që i përshtatet dhe inkurajojeni t’i përmbahet asaj rutine. Është me rëndësi të krijoni vend të përshtatshëm për punë, ndonjë hapësirë të pastër, me ndriçim të mirë dhe pa pengesa. Nëse fëmija juaj preferon të punojë me muzikë, atëherë mos e pengoni. Nëse nuk keni hapësirë të mjaftueshme në shtëpi ose nuk keni qasje në internet, provoni librarinë lokale.

Ndihma nga ana e shkollës

Zbuloni çfarë objektesh ofron shkolla e fëmijës suaj. Disa shkolla kanë klube mesdite posaçërisht për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje rreth përfundimit të punës apo të detyrave të tyre. Ndërsa disa të tjera kanë futur sistemin e kompletimit online të detyrave të shtëpisë, gjë që mund t’i përshtatet fëmijës suaj. Nëse fëmija juaj mundohet, flisni me përfaqësuesit e posaçëm të shkollës për të marrë këshilla se si t’i ndihmoni. Nëse fëmija juaj ka nevoja speciale, mund të caktoni takim me mësuesin dhe koordinatorin e edukimit të fëmijëve me nevoja shtesë.

Share With:
Translate »
896 Views