“Tasha e TikTok-ut” dhunonte nipin 10-vjeçar, dëshmia tronditëse e të miturit: Më jepnin alkool dhe më kërcënonin me thikë që të shaja
Detaje të rënda kanë dalë në pah nga dosja hetimore e Natasha Kumarakut dhe djalit të Amarildo, të cilët së bashku kanë kërcënuar dhe abuzuar emocionalisht djalin e mitur 10-vjeçar. Ky i fundit ka dëshmuar pranë organeve kompetente, ku ka pranuar se është kërcënuar herë pas here me thikë për t’u shfaqur në rrjetin social “TikTok”.
Ai ka theksuar se fjalorin e papërshtatshëm ia ka mësuar i ati, në prezencë të gjyshes, dhe të dy së bashku i kanë ushtruar presion psikologjik vazhdimisht, duke ndikuar në gjendjen emocionale të tij.
“Si pasojë e ngjarjeve traumatike, prokuroria vlerësoi se të pandehurit kanë ndikuar në cilësinë e jetës së të miturit duke mos e lejuar të ketë një qetësi shpirtërore, të ndihet i pambrojtur dhe i bullizuar, duke pasur frikëra të vazhdueshme.
Të pandehurit kanë detyruar shtetasin e mitur A. K., të bëjë video dhe të dalë në rrjetin social “Tiktok” duke përdorur fjalë banale dhe fyese tepër të rënda edhe për persona të rritur jo më për moshën që ka viktima e veprës penale, duke e rënduar emocionalisht këtë të fundit me anë të kërcënimeve të bëra nga dy të pandehurit. Nga administrimi i pamjeve filmike shfaqen video, ku djali i mitur ka përdorur sjellje dhe fjalor të papërshtatshëm i nxitur nga të pandehurit babai dhe gjyshja”, thuhet në dosjen hetimore.
Po ashtu, i mituri është detyruar të konsumojë alkool dhe puro, si dhe është ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe jo vetëm. Ai ka rrëfyer se e ëma ofendohej vazhdimisht me fjalor të papërshtatshëm nga babai dhe gjyshja, gjë e cila ka shkaktuar dëmtime të mëdha psikologjike tek i mituri.
“Shtetasi A.K. ka deklaruar se shpesh herë ka pasur kërcënime fizike dhe psikologjike kur dilte në “Tik Tok” dhe babai i tij e kërcënonte gjatë gjithë kohës me thikë që ai të shfaqej në rrjetet sociale edhe pse ai shprehej se nuk kishte dëshirë edhe një pjesë të fjalorit që ai përdorte në këtë rrjet nuk ja dinte kuptimin dhe deklaron se e mësonte babai në prezencë të gjyshes. Dhënia e thikës të miturit me gjatësi 25 cm duke ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme, duke e ofenduar në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur me një fjalor shumë të rëndë ndaj tij dhe nënës së tij si dhe me goditje fizike kanë shkaktuar pasoja tek i mituri.
Prokuroria vlerësoi se dhënia e purove dhe pjeve alkoolike fëmijës së mitur nga dy të pandehurit, qartësisht rezulton se ndaj tij është ushtruar keqtrajtim fizik dhe psikologjik dhe është detyruar për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik”, thuhet më tej.
Amarildo dhe Natasha Kumaraku janë dërguar për hetim, ndërsa akuzohen për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit” e kryer në bashkëpunim