Tjetër detaj tronditës nga ngjarja në Kombinat, ekspertiza: Vajza kishte 15 muaj e vdekur, e kishin bërë mumje

Ekspertiza paraprake e mjekësisë ligjore për trupin e pajetë të 30-vjeçarjes Anisa Josifi ka zbuluar se ajo ka ndërruar jetë 15 muaj më parë. Sipas ekspertëve, trupi është mumifikuar sepse është mbështjellë ditë pas dite me çarçafë të hollë.

Këtë e ka konfirmuar dhe vajza tjetër, 34-vjeçarja Blerta Josifi e cila ndodhet në spital. Blerta ka deklaruar se ajo dhe nëna kanë refuzuar çdo gjë, ushqim, ujë etj për 40 ditë. “Nëna vdiq, unë mbijetova”, i tha policisë 34-vjeçarja. Policia hyri nga dritarja e banjës ditën e djeshme në banesën e tyre sepse ballkoni ishte mbyllur me kangjella hekuri.

Mësohet se prej gati 2 vitesh, kjo familje thuajse jetonte e izoluar, ndërsa fqinjët e tyre thuajse nuk kishin kontakte, madje dyshonin nëse ato jetonin ende në atë shtëpi, pasi nuk bënin kurrë zhurmë. I vetmi që interesohej për to ishte vëllai i Zhanetës, i cili edhe para 3 javësh kishte tentuar të komunikonte me të motrën, e cila i shmangej kontaktit me të apo dhe vizitave në shtëpi.

Duke qenë përballë kësaj situate, vëllai i 56-vjeçares, është paraqitur në polici, ku ka raportuar edhe sjelljen e çuditshme të familjes së motrës së saj. Për të verifikuar situatën nga afër, një patrullë policie është paraqitur në banesën e të ndjerës, ndërsa punonjësit e policisë e kishin pyetur Zhaneta Josifin nëse kishin ndonjë problem për faktin se pse rrinin të izoluara bashkë me vajzat. Nëna u kishte pohuar policëve se qëndronte brenda pasi ndiheshin të rrezikuara për shkak të koronavirusit dhe për arsye personale.

Ndërkohë, ekspertët i gjetën viktimat të lyer me vaj e uthull e gjëra të lëngshme që të mos dekompozohej dhe të mos ndihej era. Pesë vite më parë, familja Josifi kishte humbur kryefamiljarin.

Share With:



1115 Views