Tre vite pas ndarjes nga jeta të së bijës, aktori shqiptar shkon për herë të parë në një premierë filmi dhe rrënqeth me fjalët

Tre vite më parë, u nda nga jeta vajza e aktorit të njohur shqiptar Çun Lajçi. Bubulina Lajçi kishte trashëguar talentin e të atit dhe ishte vajza e vetme e tij. Gjatë gjithë këtyre viteve, ai ka ndarë momente, kujtime dhe mallin për të. Pas humbjes së të bijës Çuni u largua nga profesioni i tij dhe nuk është parë në asnjë projekt kinematografik, deri dy ditë më parë kur u publikua premiera e filmit “Gjyshja”, pjesë e të cilit ishte dhe ai. Ka qenë këmbëngulja e regjisorit të filmit, Eduart Grishaj që riktheu në skenë aktorin shumë të dashur për të gjithë. Pas premierës, ai ka shkruar një dedikim të ndjerë për vajzën e tij të cilës i drejtohet me emrin ‘Miraloshe’. “Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie. Që ditën që kur ike ti ime bijë, iken edhe knaqësitë e premierave t’filmit e t’teatrit. U paluen dy e tani po palohet edhe viti i tretë që zvarritem rrugëve me dhimbje eshtnash, pa ma bajtë zemra me shkua me i pa rolet e mia n’filmat që i xhirova n’atë vitin kur ti ishe ba gati për udhëtimin e fundit. Por s’mujta me ia prishë ngazëllimin e gëzimin nji regjisori t’ri, malësor i Malësisë Madhe, njisoj si unë i këtej bjeshkëve t’Nemuna, Eduart Grishës që ishte rritë me portretin tim e fjalën e Fishtës dalë nga goja ime. S’baj film pa malësorin Çun kishte thanë dhe m’luti mos me ia refuzua thirrjen. Shkova bashkë me Galën, por jo si dikur me ty Mirake! Dhe bamë fotografi përpara nji panoje t’madhe ku shkruente “GJYSHJA” ku ishin edhe tre emna aktorësh dhe i regjisorit Eduart. E urova Emen e Riten koleget e mia që shkelqenin n’filmin e parë t’Grishës. Urova regjisorin e ma uroi edhe ai mua Sokolin. Mbas premierës së filmit ishim edhe ma t’lumtun, se puna fliste vet. Kishte ba diçka t’thjeshtë, diçka t’bukur, diçka që s’kërkonte shpjegime e analiza.Nji thjeshtësi arti që kishe dëshirë me pa! Ishte kthye bukur n’kohën e errët enveriste e bukur i kishte portretizua malësorët e Bogëve ( jo t’Rugovës jo, por t’Malësisë Madhe) Ishte mrekulli të takoje njerëz që pa s’i kisha me vite. Aktor filmi e teatri e regjisor që rrallë flasin me gjuhën e filmit! Ishin gati të gjithë yjet e kangës e t’ekranit shqiptarë. Por… e kisha pasë harrua nji mik t’ri, nji kolegun tim me t’cilin isha mishnua shumë të “Koha e Kometës” atë çunin e ri Bes Kallakun, që lam gjurmë t’bardha n’filmin e Koçit. U përqafuem, u përqeshem, u shamë, u ngucëm njisoj si para 10 vitësh teksa po xhironim bjeshkëve t’Mavrovës. Kjo asht grueja ime, m’tha, për Xhensilën, bukuroshen, yllin e ri t’kangës. Kjo asht fansja jote ma e madhja n’shqiptari, m’tha. Kuptohet, falë meje që e kam torturua çdo ditë tue folë për ty, dhe qeshem! Nji darkë që s’harrohet ishte ajo natë në restorantin e Bes Kallakut me Galën time e Xhensilën e tij. Të nesermen erdhi Edi Grishaj me m’pa a kisha djeh mirë n’hotelin Hilton, dhe shkuem n’studio t’Top Çanelit t’flasim për premierën e filmin “Gjyshja” Kur e pyeti gazetarja, pse Çuni n’filmin tand ( që lente me kuptua se Tirana ka plot aktor Çuna) Edi u përgjigj: Sepse s’ka ma t’besueshem e ma fisnik për ekranin se Çuni dhe deri sa t’jem gjallë ai do t’jetë n’filmat e mi! Unë qesha e thashë: Ishalla s’jetoj gjatë pra, se paske me sharrua me filma! Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie!”, shkruan aktori në postimin e gjatë dhe mjaft prekës. Edhe pse dhimbja është akoma e fortë, Lajçi ja ka dalë të jetë pjesë e një filmi mjaft emocionues, i cili është i bazuar në histori të vërtetë. Pjesë e kastit janë po ashtu edhe aktoret e njohura, Ema Andrea dhe Rita Gjeka.

Share With:
Translate »
442 Views