U dashurua në moshën 14-vjeçare, vajza shpreh pendesën ndaj nënës për lidhjen e fshehtë
Erlinda është vajza e vogël në familjen e saj e cila përbëhet nga dy prindërit dhe një motër e vëlla. Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ajo nis të rrëfejë historinë e familjes së saj. E ëma, një vajzë nga Laçi u martua në Ersekë, por pas disa vitesh çifti u kthye në Laç.
Asokohe babai i Erlindës nuk punonte, ndërsa e ëma nisi të bënte punë të ndryshme për të rritur tre fëmijët. Jeta hyri në një cikël borxhesh të shlyera e të pashlyera dhe përpjekjesh për t’ia dalë mbanë.
Erlinda shton se në këtë moment filloi edhe një situatë e shkaktuar prej saj, e cila bashkuar me ngjarje të tjera është bërë shkas që ajo të marrë iniciativën për t’i kërkuar nënës falje dhe për t’i dhënë një falenderim, dy arsye që e kanë sjellë në program.
Erlinda: Filluan shqetësime të tjera nga ana ime.
Ardit Gjebrea: Të tipit?
Erlinda: U lidha me një djalë, por ishte moshë shumë delikate por unë mendoja që ishte mosha më e duhur.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?
Erlinda: Isha 14 vjeçe dhe mami përveçse kishte lodhje pafund të punonte e punonte që neve të na siguronte ushqim, do dëgjonte edhe fjalët e njerëzve.
Ardit Gjebrea: Po ku e gjete këtë çunin?
Erlinda: Po atëherë aq i vogël ishte Laçi dhe na gjenin jo se i gjenim sepse ishim të vegjël dhe mendonim që çdo gjë ishte e bukur, pavarësisht se e bukur doli në fund por në atë kohë ishte e vështirë. Mami filloi të punonte dhe të dëgjonte.
Ardit Gjebrea: Fjalë?
Erlinda: Patjetër që fjalë nga të gjithë.
Ardit Gjebrea: Normale se 14 vjeçe, shumë e vogël. Çfarë ishin këto fjalë që thuheshin?
Erlinda: Po fjalë që thonin “ai nuk e merr, ai do tallet me vajzën tënde” dhe mami gjithë kohës i mbante nën vete këto, asnjëherë nuk shprehej te ne. Thoshte që “vajzë po dëgjoj fjalë” por vetëm qante në një cep dhe në shtëpi nuk na e tregonte atë dhimbjen që kishte brenda.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë folët ndonjëherë bashkë për këtë lidhje apo ti vazhdoje fshehurazi dhe mami bënte sikur s’kuptonte?
Erlinda: Kjo është ajo falja që do t’i kërkoj unë, që asnjëherë s’i kam thënë mami hajde të bisedojmë, por gjatë gjithë kohës jo, jo.
Ardit Gjebrea: I ke thënë nuk është e vërtetë?
Erlinda: Po, patjetër.
Më pas Erlinda shton se krenaria më e madhe e nënës së saj ishte kur e bija mundi të fitonte mundësinë për t’u shkolluar. Prej atij momenti ajo nisi të punonte më fort për të siguruar mundësitë financiare. Me kalimin e kohës, ndodhi edhe takimi mes familjes së Erlindës dhe djalit që ajo dashuronte.
Sërish, e ëma kishte dëshirë të shihte vajzën me fustan të bardhë dhe vendosi të merrte kredi. Fatkeqësia e tërmetit ishte një tjetër goditje për këtë familje e cila mbeti pa shtëpi dhe prindërit e Erlindës, pas shpërnguljes herë në një vend e herë në një tjetër, u vendosën te vajza e tyre. Sipas Erlindës, zhvendosja në apartamentin e ri nuk ka mundur të sjellë qetësi dhe pushim për prindërit e saj sepse është i bukur dhe i rregullt, por i zbrazët.