Unë bërtita jo! Artistë e qytetarë bëhen bashkë në Tiranë për 11-vjeçaren e dhunuar në Kosovë

U zhvillua sot në Tiranë protesta qytetare në Sheshin “Nënë Tereza” kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Aktivistë, artistë por dhe mjaft qytetarë janë solidarizuar me 11-vjeçaren e cila u përdhunua në Prishtinë nga 5 të rinj, ngjarje e cila ka tronditur opinionin publik në Kosovë, por dhe në vendin tonë.

Nën moton “Unë bërtita jo!” – qytetarë e artistë si kurrë më parë, – janë bërë bashkë për këtë kauzë të përbashkët.

Në protestën e paralajmëruar fillimisht në rrjetet sociale nga shumë artistë dhe personazhe të njohur, ishin të pranishëm edhe emra si Monika Lubonja, Filloreta Raçi (Fifi), Fjoralba Ponari, Beatrix Ramosaj, Bora Zemani, Zhaklinn Lekatari, Kledi Hysa, Jonida Shehu, etj.

Iniciatorja e këtij marshimi ishte këngëtarja nga Kosova Fifi, së cilës iu bashkuan mjaft qytetarë e aktivistë kryesisht gra e vajza.

“Nuk kam dalë si Fifi por si vajzë, si grua. Iu bëj thirrje të gjithë prindërve, shkollave institucioneve të kenë kujdes,” u shpreh Fifi në nisje të këtij tubimi.

Protestuesit kanë marshuar me pas dhe janë zhvendosur drejt Kryeministrisë. Protestuesit kanë propozuar edhe nisjen e një peticioni për ashpërsimin e dënimit për rastet e përdhunimeve.

Ditën e sotme një protestë qytetare u zhvillua edhe në Prishtinë.

Share With:
Translate »
174 Views