Vajza e Xhevdet Ferit jep intervistn e parë pas vdekjes së të atit dhe na zbuloi kaq shumë të pathëna

Nga Mira Kazhani/ Nuk e kam takuar asnjëherë Xhevdet Ferin! Ditën që ai u nda nga jeta ndjeva trishtimin e çdo shqiptari, që i dukej sikur jo vetëm e kish takuar por edhe jetuar me të.

Kështu, mes këtyre ndjesish, më 16 janar u ula dhe hodha “25 rreshta” për Xhode Ferin. Kur ikin nga kjo botë njerëz që i ke adhuruar, edhe pse nga larg, kaplohesh nga nostalgjia dhe të duket sikur ke humbur një njeri të sh’pisë!

Artistët e kanë këtë forcë mistifikuese. Njerëzit jetojnë me ta në një mënyrë të qëndrueshme, serioze, të vërtetë – sado virtuale.

Në verë takova të bijën, Borën, Rozetën (bashkëshorten) dhe mbesën bjonde të Xhodës, që pluskonte në pishinë si një aktore e lindur.

Një mbrëmje u bëmë të gjithë bashkë në një tavolinë siç veç plazhi e ka magjinë e bashkimit dhe lirimit nga zinxhirët e etiketave të jetës në qytet.

Xeta tregoi shumë histori për Xhodën, herë pas here me lotin që nuk i thahej që kur shoku i jetës i iku.

Bora, disi ndryshe. Nuk qan kollaj, e fortë, e thellë dhe nuk i bie llafi në tokë.

Propozimit tim të verës ajo iu përgjigj në një paradite të ftohtë janari, fiks dy vjet pas ndarjes nga jeta të Xhevdet Ferit.

“Mendoj që ka ardhur koha të them dy fjalë për Xhodën”, – më shkroi Bora. “Do ta bëj unë” – tha – “sepse Xeta është ende shumë emotive. Ai meriton të thuhen disa të vërteta për të dhe mundësisht pa qarë. Shpresoj t’ia dal!”.

“Babai im nuk ishte kurrë viktimë, as i harruar nga shteti apo të tjera nga këto”, – më tha ajo në telefonatën rreth intervistës.

Ishte kjo në fakt arsyeja pse Bora u kandis të flasë për të atin dhe më llastoi sedrën profesionale, fakti që sipas saj ai do kishte miratuar një platformë si ajo e intervistës në Tiranapost! Këtë unë s’e di, por siç Bora e tha bukur nga fundi i intervistës, vendimet iu takojnë të gjallëve.

Ajo është mirënjohëse bashkë me Xetën për dashurinë e pamatë dhe vlerësimin që ka marrë nga shqiptarët dhe nga njerëzit e medias, por disa tituj e shkrime (edhe pse në thelb dashamirëse) nuk kanë lidhje ama me të vërtetën e ikjes së tij apo viteve të fundit të jetës së Xhode Ferit!

Është një intervistë ku Bora shpalos fuqinë e ADN-së dhe të kujton se fëmijët janë pasqyrë e prindërve të tyre.

Asnjë më mirë sesa Bora nuk do fliste në emër të Xhodë Ferit, jo vetëm për ikjen e parakohshme, pa mbushur 60 vite, por edhe për jetën e tij, për betejat, pendimet! Për dashurinë e shëtitjeve buzë detit apo në park që vitet e fundit i kish aq të dashura. A thua se donte të çmallej me këtë vend që e deshi kaq shumë. Sikur ta dinte ai sa e deshën dhe atë! Dhe siç thotë Bora, kur tregon telefonatën për vdekjen e profesorit në Angli, kur Xhoda nga ana tjetër e telefonit i thotë: – “Qaj, bab, është e shëndetshme të qash për profesorin…”

“Sikur ta dinte ai sa qanë studentët e tij për të. Ah, sikur ta dinte!”, thotë Bora tani.

Është një rrëfim plot biseda, ngjarje dhe të vërteta që s’i dimë, ky i vajzës së vetme të Xhevdet Ferit.

Një intervistë ku klisheja “aspak për t’u humbur” bën sens!

Ndiqe të plotë në Youtube kanali i TiranaPost

Këtu gjen linkun e intervistës së transkriptuar

Autori Mira Kazhani

Share With:
Translate »
44 Views