Vazhdon drama, avokatja e Arbenitës: Fero nuk e ka marrë kujdestarinë e vajzës
Kanë kaluar vetëm pak ditë që prej një deklarate të bërë nga Fero i cili kërkonte ndihmë tek mediat lidhur me një padrejtësi që i ishte bërë. Pasi zhvilloi një lidhje direkte me një emision, Fero bëri me dije se vajzen e tij e kishin rrëmbyer dhe se nuk ishte në dijeni se ku ajo gjendej. Megjithatë nuk kaluan shumë ditë kur Fero njoftoi se kishte marre kujdestarinë e së bijës. Mirëpo drama vazhdon ku pala e Arbenitës po thotë të kundërtën e asaj që artisti ka deklaruar në rrjete sociale.
Avokatja e Arbenitës, Blinera Osmani, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se nuk qëndron fakti se klientes së saj i është marrë kujdestaria e vajzës.
Kjo për shkak se siç thotë Osmani, është kundërshtuar vendimi për kërkesën për mbrojtje emergjente nga ana e Feronit Shabanit, andaj ende s’ka vendim të prerë për kontestin mes dy palëve.
“Kujdestaria ende nuk i është marrë klientes time sepse vendimi për kërkesën për mbrojtje emergjente që është bërë prej babait të vajzës është kundërshtuar, kështu që derisa nuk kemi një formë të vendimit të prerë nuk e konsiderojmë që është marrë kujdestaria e vajzës”, tha Osmani për Telegrafin.
Me fjalë të tjera, mbrojtja e modeles po pret vendimin e gjykatës mbi ankesën që kanë parashtruar për vendimin.
“Ne brenda afatit ligjor e kemi dërguar kundërshtimin tonë dhe testin brenda shtatë ditëve sipas afatit ligjor që përcakton ligji për të marrë vendim mbi ankesën tonë”, tha tutje avokatja Osmani.