VIDEO/ Solli në jetë katërnjakë, nëna heroinë rrëfen sfidat tek Rudina: Iu luta Zotit…
Rozeta dhe Geraldo Vojkollari kanë përjetuar mrekullinë më të madhe të jetës së tyre, janë bërë prindër të katërnjakëve! Pas një shtatzënie të vështirë, plot sakrifica dhe momente ankthi, çifti ka rrëfyer për herë të parë në emisionin “Rudina” në Tv Klan emocionet e fuqishme të këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm.
Rozeta tregon se që në javët e para të shtatzënisë është përballur me komplikacione dhe ka kaluar muaj të tërë në regjim shtrati, me shpresën e vetme për të parë fëmijët e saj të lindin shëndoshë e mirë.
Por nata e lindjes ishte një mrekulli më vete, teksa shikonte hënën e plotë nga dritarja e maternitetit, ajo iu lut Zotit që t’i shndrisë fëmijët e saj “siç po shndrinte ajo hënë”… dhe vetëm pesë minuta më pas, ndodhi momenti që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Katër mrekulli të vogla erdhën në jetë!
Rudina Magjistari: Ti ke qenë në regjim shtrati gjithë kohës, në çfarë faze je shtruar?
Rozeta Vojkollari: Unë u shtrova në javën e shtatë për hemorragji, më pas tremujorin e parë e kam kaluar në shtëpi, normalisht në regjim shtrati. Pastaj javën 21-22 kam shkuar në maternitet dhe dola vetëm pasi lindën 4 bebet.
Rudina Magjistari: Kanë lindur pak më herët apo jo? Ishte i domosdoshëm ky moment, si e kujton?
Rozeta Vojkollari: Ka qenë ora 23:55 bashkëshorti ishte me mua dhe më tha po iki që të qetësohem pak. Isha në fund të muajit të shtatë. Dhimbjet e lindjes më erdhën papritmas sepse isha shumë mirë. Nuk kisha dhimbje të forta. Ishte ora 23:55 u shtrova dhe po shikoja hënën, ishte me të vërtet një hënë shumë e bukur atë natë, që nuk do e harroj kurrë. Thashë me vete “Të lutem Zot më shndrit fëmijët e mi, siç po shndrit kjo hënë”.
Sa e kam menduar këtë gjë, sa e kisha në mendjen time, pas pesë minutash ndodhi. Erdhën infermierët dhe thirrën doktorin dhe më thonë që isha për sallë, për të lindur. U mblodh i gjithë stafi dhe ka ndodhur shumë shpejt dhe unë kam qenë shumë e gëzuar me thënë të drejtën. Kur po futesha në sallë kapa përdore bashkëshortin dhe i thashë ‘ki besim te mua dhe te Zoti, ne nga ajo sallë kemi për të dalë të pestë, pavarësisht çdo llojh sakrifice që mund të ndodhte gjatë operacionit”.