Zamira Kita ndan rrëfimin tronditës: Kam dashur t’i jap fund jetës
Në një intervistë të dhënë së fundmi, për programin “Natën me Aulonën”, Zamira Kita ka rrëfyer një periudhë të errët të jetës së saj, atë të depresionit. Kita ka treguar që për shkak të gjendjes jo të mirë të shëndetit mendor, kishte tentuar t’i jepte fund vetes.
“Kam diskutuar për një depresion që kam kaluar pas lindjes. Kam zgjedhur ta ndaj me publikun dhe e kam bërë me koshiencë të plotë sepse ka shumë gra që e kalojnë dhe duhet të dinë që ajo do kohën e vet. Nuk do as forcën tënde, as luftën tënde sepse asnjëherë nuk do ia dalësh me këto nëse nuk do i lësh kohën e vet që të kalojë dhe zgjat 40 ditë.
Mua personalisht nuk më ndihmuan as mjeksia as ilacet. Ndoshta psikologu do të më kishte ndihmuar por unë isha në një fazë që nuk bisedoja me njeri, isha e mbyllur.
Askush nuk më ka besuar madje njerëzit e mi të afërt thoshin që përkëdhelet se nuk e mban dot vajzën, se nuk ia del dot. Ndoshta kjo mund të ishte një arsye, sepse dola nga rutina ime, nga jeta ime, nga lidhja ime me Benin që e doja aq shumë. Nuk më besonin. Edhe Beni, sado që përpiqej të më besonte, prap i dukej sikur unë e ekzagjeroja. Edhe motra, edhe nëna ime, shumë vonë, me shumë vështirësi filluan të kuptonin që unë po sëmuresha.”
Vetëm nëna e një shoqes sime, e cila nuk jeton më, ajo erdhi dhe tha: “Mos shikoni të voglën se do rritet por shikoni të madhen se nuk e keni më, po ikën” dhe vërtet unë isha shumë keq”.
Ka patur momente kur mendoja t’i jepja fund vetes. E vetmja gjë që mund të më qetësonte ishte kjo rrugëzgjidhje dhe thosha e kam një shpëtim. Thosha që të paktën do i jap fund dhimbjeve. Unë nuk kisha dhimbje në trup por kisha një ankth që më mbyste”.