Zhytja e fëmijëve në det me forcë për t’u mësuar ‘lezetin e ujit’ – pasojat e zakonit makabër të të rriturve

Në një nga plazhet e jugut, një gjyshe nga këto të zonjat, që e kapin situatën për “brirësh”, i mori fëmijën dy vjeç nënës nga dora dhe e futi në det, që t’i mësonte “lezetin e ujit”. Fëmija filloi të ulërijë i tmerruar, por pa dobi. Nëna rrinte dhe e shikonte duke qeshur dhe sikur nuk mjaftonte nëna indiferente, me të u bashkuan edhe të rritur të tjerë që qeshnin me ulërimat e fëmijës.

Ky zakoni makabër i të rriturve, që qeshin apo shkrihen gazit me fëmijën e vogël, të tmerruar nga mospërfillja dhe frika, vazhdon të jetë praktikë e zakonshme pa na preokupuar për pasojat që mund të shkaktojë.

Prindër, dhembshuria nuk është një gjë e lindur, ajo mësohet e zhvillohet nëpërmjet sjelljes së prindërve ndaj fëmijës dhe më pas edhe nga të rritur të tjerë pranë fëmijës.

Prindër, kini kujdes nga këto sjellje tuajat.

E para, frika nuk largohet duke e “përplasur” fëmijën në ujë dhe duke qeshur. Kjo mënyrë vetëm dëmton mekanizmat e empatisë. Ju mund t’u vijë për të qeshur, por fëmija është i tmerruar.

E dyta, a ju ka shkuar ndërmend se si do të ndiheshit në një situatë të tillë, që ju të ishit të tmerruar dhe ata që ju kanë në dorë të qeshin e tallen?

Prindër, mos luani me emocionet e paformuara të fëmijëve tuaj dhe mos u çudisni nëse një ditë fëmija juaj, mund të bëhet i pandjeshëm dhe indiferent ndaj të tjerëve. Kështu e keni “gatuar”, me indiferencë dhe të qeshura kur ishte keq.

Nga Lira Gjika

Share With:
Translate »
475 Views