Humbi të shoqin në rrënoja, flet me lot në sy Klotilda Greku: “Vajza më kërkon të atin”

Tërmeti i 26 Nëntorit la pas shumë viktima. Mes tyre dhe shtetasi Sajmir Greku së bashku më dy prindërit e tij humbën jetën në Thumanë. Së fundmi, Klotilda Greku, bashkëshortja e Sajmirit, ka folur me lot në sy për dhimbjen që i ka lënë në shpirt humbja e të shoqit. Ajo ka treguar për ‘ABC News’ se si u njoh me Sajmirin dhe ka kujtuar momentet e tyre më të lumtura.

“Ne jemi njohur kur unë kam qenë studente në shkollë dhe ai punonte. Unë Sajmiri, vajza dhe dy prindërit jetonim në një shtëpi. Kemi qenë një familje e lumtur, kemi jetuar në një harmoni të madhe dhe kjo ishte një lumturi që Zoti nuk deshi që ta jetonim në tutje ne”, ka treguar mes lotësh Klotilda.

Sajmiri përpos së shoqes, ka lënë pas dhe një vajzë të vogël, që ende nuk e kupton fatkeqësinë që i ka ndodhur dhe e kërkon vazhdimisht të atin. “Vajza e ndjen shumë mungesën e të atit, nuk ka ditë që ajo nuk e përmend. Një veprim që bën vëllai im, apo dikush tjetër në shtëpi asaj i kujtohet që e ka bërë edhe i ati dhe shikon fotografitë e tij në telefon, i qesh fytyra kur i shikon. E ndjen edhe ajo mungesën e tij, këto ditë ka qenë shumë mërzitur, vetëm qan, si duket edhe ajo e ndjen mungesën”, shprehet e shoqja e Grekut.

Pas humbjes së Sajmirit, Klotilda së bashku me vogëlushen, janë shpërngulur në një fshat të Peshkopisë ku ka dhe prindërit. Ajo ka treguar se deri më tani asnjë zyrtar nuk ka ardhur ta takojë ose ta telefonojë. “Nga institucionet shtetërore deri më tani nuk kam pasur ndonjë lajm ose ndonjë telefonatë, përveç këtyre gjërave që janë thënë edhe në Tv. Doja vetëm të kisha një vend ku të rrija me gocën që ajo të rritet sic duhet”, ka thënë Klotilda.

Share With:
Translate »
783 Views