13 vjeçarja me leuçemi niset për kurim në Itali/ E ëma falenderon shqiptarët: Më duket sikur kam një familje të madhe

Historia e kësaj vajze dukej tepër e dhimbshme për të qenë e vërtetë. Prindërit e dërguan Stefanian për të bërë disa analiza pasi ajo kishte kaluar një gjendje gripale… dhe aty zbuluan se e bija ishte prekur nga leuçemia. Për Florin e Sonilën, nisi dhimbja më e madhe që ata kishin provuar ndonjëherë.

Dhe kjo dhimbje ua shoi plotësisht shpresat, pasi për kurimin e 13 vjeçares duheshin 160 mijë euro. Rasti u bë publik në “Shqiptarët për Shqiptarët” javën që lamë pas… dhe mrekullia ndodhi. Në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit, shqiptarët u bënë bashkë dhe mundësuan shumën tejet të lartë për kurimin e Stefanias.

Sidrit e Meri Bejleri shkuan të vizitojnë prindërit e Stefanias, e për t’u thënë se tanimë gjithçka është gati… Stefania do të niset drejt Italisë, në spitalin ‘Bambino Gesu’. Babai i 13 vjeçares, Flori, kujton se përgjatë më shumë se një jave, ajo që ka parë e ndier, ka qenë një dhimbje e paimagjinueshme.

Flori: Me ato që na panë sytë këtë javë… kanë qenë ditë tmerri, si të them. Për ne kanë qenë ditë të errëta.

Sidriti: Ne jemi sprovuar në kurriz tonin… e kuptojmë sesi mund të ndiheni.

Meri: Ju duhet t’i jepni vetes forcë. Kujtoj ne në kohën e sprovës sonë edhe sikur të kishim mundësi, nuk kishim ku ta çonim vajzën, sepse nuk mund të lëvizej në fazën që ishte. Ju keni patur mundësi, e faleminderit Zotit

Sonila: Ne i falenderojmë të gjithë, i bekoftë Zoti të gjithë

Flori: Një dritë jeshile për vajzën. Do ta njihni nga afër vajzën kur të shërohet… do të bëhet doktoreshë, i bie pianos… do Zoti, e bën mrekullinë.

Sidriti: Ne dikur e kemi pas dëgjuar shprehjen se Zoti me njërën dorë të hedh, me tjetrën të pret. Ne kurrë nuk kemi për ta marrë vesh urtësinë, pse Zoti e hedh sprovën e mënyrën sesi na e jep mundësinë me e përballu. Duhet me qenë falenderues sepse ju e mësuat sëmundjen rastësisht. Duhet ma pa tani pozivisht, sa shpejt u bë e mundur që shqiptarët të bëhen bashkë. E mbase ato që ndihmuan e kurrë s’do ta takojnë Stefanian, kjo më bën mua të fluturoj, ta shoh si diçka pozitive. Përfytyro dikujt tjetër, që t’i bie një sprovë e të mos ketë asnjë për ta ndihmuar.

Sonila: Më duket sikur më keni falur edhe njëherë fëmijën… (qan)

Flori: Ne i falenderojmë me zemër. Është mrekullia e shqiptarëve që na dolën në krah. Lutjet e tyre të shkojnë tek Zoti.

Sidriti: Lutuni, jemi në Ramazan dhe çdo lutje e juaja, fjalët e prindërve, askush s’mund të lutet si ju. Shqiptarët e bënë mrekullinë e tyre, e tanimë ia kemi lënë Zotit në dorë.

Flori: Urimi im më i mirë, Zoti t’ua shpërblejë atyre që kanë ndihmuar Stefanian.

Sonila: I falenderoj të gjithë shqiptarët kudo janë, që kanë ndihmuar time bijë. Më duket sikur tanimë kam një familje të madhe. Të gjithë janë sensibilizuar (qan) për Stefanian time, për Stefanian tonë. Zoti ua shpërbleftë të gjitëve, e them me shpirt.

E tanimë ka ardhur koha që Stefania të niset drejt Italisë. Bashkë me të do të udhëtojë nëna, Sonila. E këto janë momente me të vërtetë prekëse, ndërsa babai e motra e 13 vjeçares puthin Stefanian. Lotët s’mund të mbahen dot.

Flori: Shpresat janë të mëdhaja, që Stefania të kthehet shëndoshë e mirë. Shpresat janë tek Zoti, tek doktorët atje. Të gjithë ata që ndihmuan, të luten për vajzën, që ajo të kthehet shëndoshë. Shqiptarëve, Elvisit e të gjithë fondacionit tuaj, ju falenderoj nga zemra.

Share With:
Translate »
71 Views