1997 | Matilda 14-vjeç u vra në oborrin e shtëpisë, familja padit policinë dhe kërkon…
Vrasja e një 14- vjeçareje në Peqin rreth 21 vite më parë është rikthyer në vëmendje nga prindërit e saj, të cilët prej vitesh akuzojnë Policinë për ngjarjen, por ende nuk kanë gjetur drejtësi, shkruan “Panorama”.
Pasi kanë provuar prej vitesh të gjitha shkallët e gjyqësorit, së fundmi ata i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me një padi civile, ku kërkojnë dëmshpërblim nga Ministria e Brendshme dhe Komisariati i Policisë së Peqinit.
Objekti i padisë së depozituar nga Bashkim e Xhevahire Bufi, prindërit e 14- vjeçares Matilda Bufi, është: Detyrimin e palës së paditur (Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Elbasan, Komisariati Peqin) të shpërblejë paditësit për dëmin shëndetësor, dëmshpërblimin “për të gjitha dëmet”.
Apo për të gjitha dëmet pasurore dhe jopasurore për çdo figurë të dëmit pasuror e jo pasuror të shkaktuar si pasojë e ngjarjes së ndodhur më 10.07.1997 në Peqin, me pasojë vdekjen e shtetases së mitur Matilda Bufi, nga vepra penale e vrasjes së konsumuar prej forcave të Policisë etj. Familja e së miturës ka akuzuar vazhdimisht Policinë për vrasjen e vajzës, megjithatë paditë e tyre janë pushuar vazhdimisht me arsyetimin se nuk provohej se kush e kishte kryer vrasjen.
VRASJA
Në vitin e mbrapsht 1997, shqiptarët përjetuan ngjarje dramatike, ndërsa në statistikat e Policisë numërohen më shumë se një mijë vrasje, shumica e të cilave edhe sot e kësaj dite mbeten pa autor.
Një ngjarje e rëndë ndodhi edhe për familjen Bufi në Peqin, të cilët humbën vajzën 14-vjeçare nga një shkëmbim zjarri mes forcave të Policisë dhe disa personave të armatosur që ata kishin në ndjekje. Rreth orës 07:00 të mëngjesit, të datës 10 korrik 1997 dhe prindërit e Matilda Bufit nuk ndodheshin në shtëpi. Policia ishte duke kryer një operacion ku pati shkëmbim zjarri.
Nga të shtënat mbeti e plagosur rëndë Matilda Bufi, 14-vjeçe. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Vajza e mitur ndodhej në oborrin e banesës, ku ishin edhe gjyshërit e saj. Shtëpia ndodhej në një kodër përballë Komisariatit të Peqinit dhe në oborr vajza u qëllua nga plumbat.
Pas kësaj ngjarjeje, disa efektivë të Komisariatit mbërritën në shtëpinë e familjes Bufi duke marrë vajzën e plagosur dhe e dërguan në spital, ku ajo ndërroi jetë. Prindërit e vajzës, Bashkim dhe Xhevahire Bufi, të cilët ndodheshin në Pogradec ditën e ngjarjes, kanë mësuar për vrasjen e së bijës në momentin kur janë kthyer në shtëpi. Pas debateve të shumta me Policinë dhe pas insistimit për të mësuar të vërtetën, ata fillimisht janë përballur me premtime, por nuk kanë marrë më asnjë përgjigje.
RAPORTI
Me vendimin e datës 22 qershor 2009 të Prokurorisë së Elbasanit, nga hetimi i procedimit penal nr.17, datë 11.09.1997, ka rezultuar se: Më datë 10 korrik 1997, në orët e para të mëngjesit, është njoftuar Komisariati i Policisë Peqin se një mjet fugon i bardhë po lëvizte me shpejtë- si të madhe në qytet, në drejtim të Komisariatit të Policisë.
Grupi i gatshëm është vënë në ndjekje të këtij mjeti dhe, megjithëse i kanë bërë shenjë të ndalonte, ai ka vazhduar rrugën në drejtim të Komisariatit. Në këto rrethana është urdhëruar punonjësi i Policisë Petrit H., i cili ditën e ngjarjes ka qenë i caktuar si roje te dera hyrëse e Komisariatit, që të bënte ndalimin e mjetit.
Pas shkëmbimit të zjarrit që ka pasur midis punonjësit të Policisë dhe personave të ndodhur në fugon, janë dëgjuar krisma automatiku dhe zhurmë granatash e më pas është mësuar se ka mbetur e plagosur shtetasja Matilda Bufi, e cila ndodhej sipër në kodër. Kjo shtetase ka gjetur vdekjen po atë ditë në Spitalin Kirurgjik të Peqinit.
Sipas aktit mjeko-ligjor është arritur në konkluzionin se shtetasja Matilda Bufi ka vdekur si pasojë e shokut të rëndë traumatik hemorragjik nga plaga e shkaktuar me armë zjarri. Kjo shtetase është vrarë nga një predhë e vetme arme zjarri, e cila ka qenë tejshpuese nga e djathta në të majtë.