3-shi me fat i Ervin Bushatit

Rrugëtimi në politikë i djalit të mirë të “Partisë Socialiste”, që kërkon sërish mandatin e deputetit në zemër të kryeqytetit. Babai i 3 djemve, nr.3 në listën e PS, rrëfen jetën përtej angazhimeve dhe fushatës, në një intervistë të thjeshtë për revistën “WHO”

Nga revistawho.com / Fotot: Redon Xhyliu

Hyrja e tij në politikë nuk ka qenë e bujshme. Dhe në shtatë vitet e fundit që ka qenë pjesë e Parlamentit shqiptar, Ervin Bushati nuk ka pasur asnjë lidhje me pjesën agresive të politikës, por as nuk ka qenë i pandjeshëm apo i pazëshëm. Me fytyrën gjithmonë të buzeqeshur në dhjetëra e dhjetëra takime në të gjitha zonat e Tiranës, i pakrekosur edhe në mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë apo seancat plenare ku shfaqet, ai ka fiks imazhin e një politikani evropian, që mund të jetë i majtë, i djathtë, i qendrës, që të bëjnë të kesh besim tek kutitë e votimit e të mos e mallkosh politikën si të keqen e këtij vendi, por ta shohësh si pjesë të mirë të tij. Baba i tre djemve të vegjël, edhe pse jo protagonist në media me familjen, ai pranon të pozojë me ta për revistën “WHO” për të ndarë një moment të veçantë në jetën e tij, siç është dhe kjo fushatë elektorale që po mbyllet.

Përpara politikës, cili është shkollimi dhe profesioni juaj?

Unë në profesion jam ekonomist dhe shifrat janë pika më e fortë imja. Kam përfunduar studimet në qershor 1999 ku jam diplomuar në universitetin “DePaul University” (Chicago, Illinois, USA) për Financë/ Ekonomi (B.S) dhe në qershor të vitit 2000 kam përfunduar specializimin profesional “Distributive Systems” IT/Financë në po të njëjtin universitet. Ndaj dhe them shpesh që shifrat janë miku im më i mirë dhe nuk të lënë të gabosh asnjëherë.

Si nisi rruga juaj në politikë?

Në vitin 2006 kryetari i Bashkisë asokohe, Edi Rama, Kryeministër sot, u bëri një thirrje të hapur gjithë të rinjve, ndër ta edhe ata që ishin diplomuar jashtë. Unë e kam patur me qejf pjesën politike dhe vendosa të marr pjesë, pasi gjithmonë kam menduar se e majta është një forcë progresiste dhe mendon për të ardhmen e vendit. Asokohe u angazhova, fillova të meresha fillimisht me programin e Partisë Socialiste, më pas isha këshilltar në Këshillin Bashkiak dhe prej 2009 kryetar partie në Njësinë 8, “Zemra e Tiranës”, ku vazhdoj të jem edhe sot deputet përfaqësues i kësaj njësie prej vitit 2014.

Në këto shtatë vite që keni qenë pjesë e Parlamenti, cilat kanë qenë momentet më të vështira aty? Po puna më e mirë?

Si çdo punë ka momente të vështira, por mund të them që e gjithë kjo kohë që unë jam pjesë e Parlamentit kemi bërë e kemi miratuar ligje e reforma të cilat ndoshta dhe nuk i kisha menduar se do të mund të realizoheshin, duke parë situatën se si ishte Shqipëria në momentin që “Partia Socialiste” fitoi zgjedhjet. Ndoshta kjo ka qene një nga momentet qe kam menduar se si mund të çojmë përpara disa nga këto reforma, por shihni ku jemi sot.  Kemi bërë aq shumë reforma saqë nuk ishin bërë në 30 vite. Sot Shqipëria është një realitet qe nuk e mendonte kush se mund të ndryshonte kaq shumë. Ndaj duke parë realitetin sot, sesi Shqipëria është transformuar mendoj se momentet e vështira nuk ia vlen t’i mendosh. Janë bërë kaq shumë punë të mira, saqë nuk ia vlen të kthesh kokën pas. Unë jam krenar që jam pjesë e “Partisë Socialiste”, erës së ndryshimit, sepse “PS” është e vetmja forcë, që kryefjalë ka ndryshimin dhe mirëqënien. 

A është politika një punë si gjithë të tjerat? Apo kërkon ndonjë pasion të veçantë?

Politika është një ‘sport’ i vështirë, nuk mund ta quajmë një punë si gjithë të tjerat dhe jo çdokush mund të jetë politikan, sepse politika nuk është një punë e thjeshtë. 

Politika është një punë sfiduese, kjo pasi duhet të përdorësh gjithçka ke mësuar në jetë, duhet t’i vësh në zbatim. Të duhet ndoshta të ndryshosh realitetin dhe kjo është shumë e vështirë, por kjo është një mrekulli e veçantë dhe politika ta bën këtë. Të ndryshosh realitetin ne lagjen tënde, në qytetin tënd, kjo është sfida që ti ke dhe kur realizon këtë atëherë sheh që puna jote po jep fryte. Politika është një sfidë dhe përgjegjshmëri e madhe për të bërë shumë më tepër nga sa njerëzit apo ti vetë pret që të ndryshojë.

Si është kjo adrenalina e fushatave elektorale, që e përmendin të gjithë?

Fushatat elektorale janë padyshim adrenalina më e madhe për një politikan. Çdo ditë është e ndryshme, asnjë ditë nuk ngjan me tjetrën. Takime pafund, njerëz që takon e ndan me ta shqetësimet dhe bisedon se çfarë duhet të bëjmë më mirë. Njerëz që të mbështesin, por edhe që të kritikojnë e në fund të japin mbështetjen e tyre. Ti përballesh me shumë të paprituara, që s’i kishe menduar. Me pak fjalë, personalisht mendoj se adrenalinë më të madhe se fushatat elektorale nuk ka. Është një sfidë, përgjegjshmëri dhe një kënaqësi shumë e madhe.

Në politikë është mirë të të thonë “çun i mirë” apo “i rrahur me vaj e me uthull”? Ku e shihni veten?

Mendoj që në politikë dhe në çdo profesion tjetër është mirë të të thonë profesionist i mirë. Nëse ti je “çun i mirë”, “çun mamaje”, apo “i rrahur me vaj e me uthull” ka pak rëndësi. E rëndësishme për mua është që puna të bëhet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Nëse këto dy parime i vendos në themel të çdo pune apo të çdo nisme të ndërmarrë mendoj që çdo gjë do të realizohet më së miri.


A ka në politikën shqiptare “përplasje” brezash? 

Nuk mund të themi “përplasje brezash”, por do të preferoja ta quaja shkëmbim idesh apo pikpamjesh. Të rinjtë vijnë me një frymë të re, por kjo s’do të thotë që ata që kanë më shumë vite në politikë u ka ‘humbur’ vizioni. Ndaj ne në “Partinë Socialiste” besoj e keni vënë re edhe në këto zgjedhje, ne kemi ardhur me një vizion të qartë në këtë fushatë, promovimi i figurave të reja në politikë, sjellja e një fryme të re në politikbërje. Kjo s’do të thotë që “figurat e vjetra” s’janë më pjesë, madje ata janë këshilluesit më të mëdhenj. Ndaj e them me bindje që kjo “përplasje” që ju thoni nuk e përshkruan dhe nuk i përket aspak “Partinë Socialiste”, por e kundërta. Fryma që ne sjellim është pikërisht bashkëpunimi dhe përqafimi i vizioneve të reja.

A keni një model?

Unë mendoj se të gjithë fillimisht kanë një model, por më pas modelet zbehen sepse ti kërkon të realizosh gjëra që nuk i kishe parashikuar. Ndaj mendoj që modeli më i mirë, është të krijosh një model tëndin. 

Në cilën zonë të Tiranës po e zhvilloni fushatën?

Sigurisht që në “Zemrën e Tiranës”. Është një zonë e cila më ka dhënë shumë, ashtu siç edhe unë jam munduar që të bëj më të mirën për banorët e kësaj njësie. Dhe unë e them me bindje që ndryshimet që kanë ndodhur në Njësinë 8 kanë vendosur një standard, nga i cili nuk mund të ketë më kthim mbrapsht.

Ndërkohë që edhe bashkëshortja juaj vjen nga një familje e njohur e Tiranës, Rreli. A janë ndihmë për fushatën apo familja dhe politika rrinë larg?

Familja është një ndihmë e madhe për mua. Puna dhe familja thonë që duhet të rrinë larg, por mendoj se kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Do të ishte ndoshta shumë e vështirë për mua të realizoja të gjitha aktivitetet e mia, nëse nuk do kisha mbështetjen e tyre, apo nëse ata nuk do të kuptonin aktivitetet e mia. Ndaj them që ata janë një mbështetje shumë e madhe imja. Edhe pse në mjaft raste apo gëzime familjare nuk jam i pranishëm kam mirëkuptimin e tyre. Madje ata janë dhe kritika më e madhe e imja, ndaj unë i kam krah në çdo nismë që ndërmarr dhe u jam mirënjohës pafund. 

Si e përjeton gruaja juaj angazhimin në politikë dhe faktin që imazhet e djemve gjenden edhe në “Google”, dhe jo vetëm në albumet familjare?

Gruaja është një mbështetje e madhe. Mendoj se pa mbështetjen e saj shumë gjëra mund të ishin të vështira për t’u realizuar. Kot nuk thonë që pas një burri të sukseshem qëndron një grua e fortë. Ajo është shumë e fortë, kujdeset per katër djem (qesh).

Përsa i përket imazheve të fëmijëve mendoj se kjo është dhe një zgjedhje e jona. Them kështu pasi jemi vetë ne dhe sidomos gruaja ime e cila ndan foto të shumta të djemve thuajse çdo ditë. Duke parë edhe lidhjen dhe dashurinë që ka për fotografinë,  mendoj se kjo gjë nuk e shqetëson aspak.

Sa vjeç janë djemtë? Cilat janë gjërat që bën më së shumti me ta? 

Une kam tre djem. I madhi Alfredi është 9 vjeç, Matias 7 vjeç dhe i vogli Tom 3 vjeç. Kur behemi të katërt bashkë zhvillojmë aktivitete të ndryshme. Luajmë, lexojmë, gatuajmë. Jemi shokë shumë të mirë. Edhe pse politika të mban shumë të angazhuar mundohem që të jem sa më prezent në shtëpi dhe të ndaj sa më shumë kohë me fëmijët, që për mua është koha më e çmuar. 

Ke peng që nuk e ke një vajzë? Apo e keni kohën përpara dhe mund të vijë pas tre djemve?

S’do të thoja peng, pasi tre djemtë janë dashuria më e madhe që kemi. Kudo më pyesin “po vajzën kur do e bësh?”, por them se është kapitull i mbyllur kjo çështja e vajzës (qesh).

Linku origjinal i intervistës: https://www.revistawho.com/3-shi-me-fat-i-ervin-bushatit/

Share With:
Translate »
270 Views