480 mijë nxënës ulen sot në banka! Prindërit harrojnë virusin, grumbullohen dhe nuk ruajnë distancën

Rreth 480 mijë nxënës të arsimit parauniversitar kanë nisur sot vitin e ri shkollor, në mes të kushteve të vështira për shkak të pandemisë. Në total janë të angazhuar 30 mijë mësues që do të zhvillojnë mësim në 1760 shkolla në të gjithë vendin.

Për të siguruar distancën, numri i nxënësve nëpër klasa do të jetë më i ulët, ndaj dhe mësimi do të zhvillohet me turne. Më konkretisht në 1100 shkolla orët mësimore do të zhvillohen me një turn, 480 shkolla do të jenë më një turn të ndarë në dy nënturne dhe 180 shkolla do të jenë më dy turne të ndarë në katër nënturne.

Distanca nga njëra bankë në tjetrën duhet të jetë të paktën 1.5 metra. Fëmijët gjithashtu duhet të qëndrojnë në radhë teksa temperatura e tyre matet në hyrje të shkollës.

Por prindërit nuk kanë mundur të mbajnë dot distancën, ndërsa në fotot e publikuara sot shihet teksa ata janë grumbulluar duke pritur fëmijët të hyjnë brenda në klasë.

Në fotot e publikuara nga deputetja e PD-së Albana Vokshi, shihet një mungesë organizimi dhe kujdesi nga prindërit e fëmijëve që ka cuar në grumbullime në kundërshtim me protokollin e sigurisë së shëndetit.

Hapja e shkollave, nis mes frikës për shëndetin dhe problematikave të panumërta. Vetëm pak ditë para nisjes së procesit mësimor, 5 mësues të shkollës “Jeronim De Rada” në kryeqytet janë prekur nga koronavirusi.

Hapja e shkollave në kushtet e pandemisë do të monitorohet nga Instituti i Shëndetit Publik për të parë se si do të ndikojë në shifrat e koronavirusit, të cilat në mënyrë të pashmangshme pritet të rriten.

Edhe eskpertët paralajmërojnë se hapja e shkollave është një aventurë e rreizikshme për shqiptarët.

Share With:
Translate »
296 Views