5 aborte spontane në 7 vjet, përjetimi i dhimbshëm i Adjas: Është një vdekje në trupin tënd

Adja Angjeli ka ndjekur një rrugëtim të gjatë, të mundimshëm dhe traumatik për të gëzuar një fëmijë në krahët e saj. E ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan për të folur rreth abortit spontan, ajo rrëfen përjetimin e saj kur shtatzënia e parë dështoi. Fillimisht mjekët e morën me lehtësi sepse aborti spontan konsiderohet patologji në momentin kur përsëritet të paktën tre herë.

 

Adja Angjeli: Që në abortin e parë kisha diçka që nuk më linte të qetë sepse kisha qenë gjithmonë shumë korrekte me veten time në stilin e jetesës, nuk kisha përdorur kurrë kontraceptivë, domethënë në aspektin femëror shëndetësor e konsideroja veten shumë të shëndeteshme.. Duke i bashkuar faktin që kisha një predispozitë për të zhvilluar sëmundje autoimune reumatizmale, edhe gjenetikisht por edhetë shfaqura me anë të disa simptomave të tjera siç ishte syri i thatë, goja e thatë që lidhen me një sindromë tjetër që quhet sindroma e Siogrenit, kisha gjithmonë këtë merakun mos këto dy elementë bëheshin bashkë dhe më pengonin të realizoja atë që doja që në fakt ashtu ishte e vërteta.

Pas abortit të parë, mjekët i këshilluan një fazë rikuperimi disa mujore përpara se të tentonte sërish, duke u përpjekur ta ngushëllonin me fjalët “bebi do vijë”. Adja përshkruan se ç’ndodhte ndërkohë në mendjen e saj gjatë kësaj periudhe.

Adja Angjeli: Eksperienca e parë natyrisht që nga ana psikologjike është shuëm traumatike, është si një vdekje që ti e përjeton jo vetëm në shtëpinë tënde, por në trupin tënd. Është… ndihesh në faj, ndihesh e pamundur për të realizuar gjëra. Imagjino në rastin tim që unë gjithmonë kisha qenë ajo vajza që çfarë i vija objektiv vetes e arrija gjithmonë, mirë me mësime, në çdo etapë jete kisha arritjet e mia dhe kjo ishte një përplasje me realitetin që uau çfarë është kjo, si ka mundësi që unë dua një gjë dhe nuk e arrij dot?

Adja shton se kishte momente kur fajësonte Zotin apo shihte vazhdimisht nëna me karrocë apo shtatzënë që gjithmonë i shtronin brenda vetes të njëjtën pyetje: “Pse unë?” Asaj iu desh të priste 7 vjet përgjatë të cilave kaloi edhe aborte të tjera përpara se të bëhej nënë.

Adja Angjeli: Fazë shumë intensive nga ana emocionale dhe psiqike. Është patjetër një fazë që do shumë suport që unë e kisha, si nga bashkëshorti, është traumë, do kohë ta marrësh veten. Dhe është traumë që s’ka mbaruar, është një traumë që sa ka filluar sepse ti s’e di a do vijë apo jo bebi, ty nuk ta garanton njeri, domethënë ti e di që mund të bësh një abort tjetër, ti e di që mund të mos bësh fare fëmijë. Infertiliteti im për shembull ka zgjatur 7 vjet që nuk është pak.

Katerina Trungu: 7 vite ti ke provuar për t’u bërë nënë.

Adja Angjeli: Dhe kam bërë 5 aborte spontane.

Share With:
Translate »
84 Views