5 nga viktimat e tërmetit ishin familjarë të Evi Reçit, këngëtarja përlot me dedikimin
Mes viktimave të tërmetit të tmerrshëm që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës, ishin edhe kushërinjtë e këngëtares së njohur Evi Reçit. Kryefamiljari Edmond Reçi u shua së bashku me bashkëshorten Dolorën, vajzën Kristin dhe djalin Klausin.
Këngëtarja e kishte xhaxha Edmondin dhe me siguri këto janë momente të vështira për Evin. Ajo përmes një statusi në Instagram ka shkruar se është e vështirë të pranojë humbjen e tyre.
“Të pranosh të papranueshmen. Më ndodhi dhe mua. I ndodh kujtdo. Sa e çuditshme! Në momente të veshtira dhe të dhimbshme, të rikthehen në mendje kujtimet më të bukura. Ashtu m’u kujtua dhe Kristi im, që kërcenim dhe këndonim bashkë, ashtu dhe Klausi që qante që s’e merrnim me vete se ishte i vogli e ne të “medhenjt”, ashtu dhe axha Edi që humori verior ishte në çdo fjalën e tij, ashtu dhe Dolora që dedikoi jetën për familjen e saj.
Po ashtu më rikthehu kujtimet dhe Diena, shoqja ime e fëmijërisë, dilnim, bënim thashetheme, ndanim sekretet. Siç ishte në fillim dhe ‘sekreti’ për dashurinë tënde, për Dorin që më pas të pikturoi jetën me portretin e Esielës së vogël që t’u bë motivi i jetës. Ishit të gjithë bashkë.
Një pse e madhe, një boshllëk i madh, nga një tërmet i madh. Zemrën e kam plagë! Një faleminderit për të gjithë ju që më keni shkruar dhe më keni qëndruar afër çdo moment me dashurinë dhe dashamirësinë tuaj. Zoti ju bekoftë”,-shkruan Evi.