5-vjeçarja peshon 45 kg, vuan nga sindroma që e bën vazhdimisht të uritur
Një vajzë 5-vjeçare peshon 45 kilogramë pasi vuan nga një sëmundje e rrallë që e bën të dëshirojë gjithnjë e më shumë ushqim.
Nëna e saj 25-vjeçare, Holly Williams nga Mbretëria e Bashkuar, vendosi të marrë një zgjidhje drastike duke vendosur një derë të veçantë në kuzhinë, në mënyrë që e vogla Harlow të mos ketë akses të lehtë në ushqim.
Harlow vuan nga sindroma Prader-Willi dhe i mungon kromozomi 15, i cili është përgjegjës për kontrollin e urisë. Prandaj, Harlow është vazhdimisht e uritur dhe gjithmonë dëshiron të hajë.
“Dera speciale në kuzhinë ndihmon që Harlow të mos hyjë në dollapët për të kërkuar ushqim, “ tha Williams për Caters.
“Në të ardhmen do të më duhet të marr masa të mëtejshme dhe ndërsa Harlow rritet, ka të ngjarë që të dalë jashtë kontrolli e të bëhet agresive.”
Kur ishte 6 muajsh, Harlow u diagnostikua me sindromën, për të cilën nëna e saj nuk kishte dëgjuar kurrë më parë.
Sindroma Prader-Willi është një çrregullim i rrallë gjenetik, sipas klinikës Mayo, dhe mund të shfaqet me probleme fizike, mendore dhe të sjelljes. Shumë nga ndërlikimet e sëmundjes janë për shkak të obezitetit.
Sindroma vonoi aftësinë e Harlow për të bërë shumë gjëra. Ajo fillimisht nuk mund ta mbante kokën lart deri në moshën 8 muajshe dhe nuk ecte deri në moshën 2 e gjysmë.
“Ne e dinim se diçka nuk shkonte kur lindi Harlow”, tha nëna e saj. “Ajo ishte shumë letargjike, nuk kishte forcë, nuk qante dhe nuk ushqehej me shishe siç duhet”.