8 fëmijë nën 5 vjeç vdesin në kampin sirian Al Hol, nga ku u nxorr Alvin Berisha!

UNICEF është alarmuar nga raportet e fundit sipas të cilave tetë fëmijë nën moshën 5-vjeçare kanë humbur jetën në kampin Al Hol në Sirinë verilindore, në më pak se një javë.

“Vdekjet kanë ndodhur midis datave 6-10 gusht. Katër prej tyre u shkaktuan nga komplikime të lidhura me kequshqyerjen. Të tjerat ishin për shkak të dehidrimit nga diarreja, zemra apo gjakderdhja e brendshme. Afro 40,000 fëmijë nga më shumë se 60 vende vazhdojnë të lëngojnë në Al Hol. Ata nuk kanë qasje në shërbimet themelore dhe duhet të luftojnë me të nxehtin e verës, traumën e dhunës dhe të zhvendosjes”, thuhet në njoftimin e UNICEF.

Kampi, Al-Hol, i njohur ndryshe si “kampi i ferrit” u bë i njohur për shqiptarët pas historisë së Alvin Berishës, 11-vjeçari, që qëndroi për plot 5 vite në Siri dhe u rikthye falë vëmendjes së madhe që i kushtoi shtypi shqiptar, dhe veçanërisht ai i Italisë.

Në moshën 6-vjeçare, saktësisht në dhjetor të 2014-ës, Alvin Berisha shkoi drejt Sirisë me të ëmën që zgjodhi t’i bashkohej ISIS-it. Nëna e tij, e lindur në Durrës në vitin 1982 kishte emigruar në Itali, ku edhe ra pre e propagandës fetare radikale islamike. Alvin, mbeti i plagosur gjatë një atentati me bombë në Siri, në të cilin humbi jetën nëna e tij.

Sot që flasim ka mijëra fëmijë që janë bllokuar në këtë kamp, në pamundësi për t’u larguar edhe pas përkeqësimit të situatës me pandeminë e koronavirusit.

“COVID-19, me kufizimet e lëvizjes dhe masat e karantinës, po e përkeqëson këtë situatë kritike. Infeksionet e konfirmuara kohët e fundit në mesin e punëtorëve të kampit kanë çuar në një pauzë në disa shërbime shëndetësore dhe arsimore dhe në një ulje të përkohshme të numrit të punëtorëve që veprojnë në kamp. Është thelbësore që rifillimi i shërbimeve shëndetësore dhe ushqimore të jetë me përparësi dhe të ekzistojnë mundësitë e kujdesit urgjent”, njofton UNICEF.

Share With:



207 Views