80% e adoleshentëve nuk bëjnë aktivitet fizik

Mungesa e aktivitetit fizik po ndikon në shëndetin e të rinjve. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 80% e grupmoshes 11 deri 17 vjeç nuk kryejnë asnjë orë aktivitet fizik në ditë.

Ekspertët e shëndetësisë botërore japin alarmin se mungesa e aktivitetit fizik është shndërruar në një problem global.

Sipas raportit, vajzat janë më inaktive, pasi 85% e tyre nuk përfshihen në asnjë aktivitet, përkundrejt 78% e djemve që shkojnë në shkollë.

Shifrat kanë ardhur në rritje nga viti në vit, duke treguar se adoleshentët po largohen nga çdo lloj aktiviteti, duke filluar nga e ecura, lojërat apo sportet.

Kjo situatë ka çuar në rritje të numrit të adoleshentëve me probleme të mbipeshës, ndërsa pritet të ndikojë në jetën e tyre si të rritur, ku risku i prekjes nga sëmundje kardiovaskulare disafishohet.

Përfshirja në aktivitete fizike, sipas ekspertëve të shëndetësisë botërore, do të ndihmonte adoleshentët jo vetëm të kenë një peshë të mirë trupore e një zemër të fortë, por edhe njohje të reja dhe marrëdhënie më të mira shoqërore.

Share With:
Translate »
438 Views