Rritet paga e mësuesve prej 1 janarit, ja sa do të shkojë
Siç ishte njoftuar muaj më parë, paga e mësuesve është rritur duke nisur prej 1 janarit. Ministrja e arsimit, Evis Kushi ka bërë me dije përmes rrjeteve sociale se viti i ri do të nisë me një rritje page prej 15% për mësuesit dhe shprehu mirënjohje për punën e tyre.
“Viti 2021 fillon mbarë edhe me rritjen e pagës së mësuesve prej 15%! Puna e palodhur, përkushtimi dhe sakrificat e pareshtura të çdo mësuesi në vend do të kenë gjithmonë vëmendjen tonë! Mirënjohje për secilin!” –shkroi ministrja.
Sipas ministres së ekonomisë dhe financave, Anila Denaj, paga mesatare bruto e mësuesve të shkollave 9-vjeçare në vitin 2020 ishte 65,800 lekë dhe do të bëhet 72,100 lekë. Ndërsa paga mesatare bruto e mësuesve të gjimnazeve në vitin 2020 ishte 68,800 lekë dhe do të bëhet 75,550 lekë.