Ulen vizitat tek Urgjenca Pediatrike, doktoresha: Edhe nga frika e prindërve ndaj Covid-it
Edhe në qendrën Pediatrike kryhen testet e shpejta për Covid-in. Doktoresha dhe shefja e Shërbimit Numila Kuneshka thotë se është krijuar pavijoni i triazhimit, ku shtrohen fëmijët për të cilët dyshohet se janë infektuar. Dhe në rast se dalin pozitivë, ata shtrohen sipas nevojës:
“Fëmijët të cilët paraqiten në urgjencën e Pediatrisë, dhe kanë indikacion të shtrohen në spital, do të kalojnë në triazhin për COVID. Që do të thotë, pavioni i pediatrisë së përgjithshme është kthyer në pavion COVID-i. Pra këta fëmijë me temperaturë marrin tamponin. Qoftë testin e shpejtë që ne e kemi në urgjencë, qoftë atë PCR. Deri në ardhjen e përgjigjes, këta fëmijë qëndrojnë të shtruar në pavionin e Pediatrisë së përgjithshme”.
Por sipas doktoreshës numri i fëmijëve që paraqiten përmes prindërve në Urgjencë është ulur ndjeshëm.
“Në urgjencën e spitalit të Pediatrisë, paraqiten çdo ditë mesatarisht 100 fëmijë. Nëse më përpara kemi thënë që numri ka qenë më i rritur, mbi 300-400, me fillimin e pandemisë, u bë mbi 10 muaj që numri ka një rënie”.
Mes arsyeve që liston ajo është edhe frika e infektimit.
“Kjo sepse një pjesë e fëmijëve që shkonin në çerdhe apo kopshte mund të mbahen në shtëpi, duke evituar kështu edhe virozat kolektive. Por një pjesë për shkak të frikës së COVID, bën që prindërit ti menaxhojnë më mirë në shtëpi”.
*Tiranapost.al.