Rama nga Rinasi: Që nesër fillon vaksinimi i mësuesve
Kryeministri Edi Rama është ndodhur mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit për të pritur dërgesën e radhës të vaksinës anti-COVID të kompanisë Pfizer.
Prej atje, Rama ka lajmëruar se duke filluar nga nesër do të vaksinohet mësuesit dhe pedagogët, ndërkohë që do të krijohet mundësia që të vaksinohen edhe mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID në Kosovë që do të mund të marrin dozën e tyre në qytetin e Kukësit.
“Nesër ne do nisim vaksinimin e mësuesve dhe të pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi për një pjesë të madhe tyre. Presim edhe 60.000 doza të tjera nga kompania AstraZeneca në muajin Prill. Qëllimi është të kemi një vaksinim intensiv për të lehtësuar edhe sezonin turistik.
Jemi gati nga dita e nesërme të organizohemi së bashku me Kosovën për t’i dhënë vaksinën mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID, duke filluar nga spitali COVID i Prishtinës që do të vinë të vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi dhe vëllazërisht që nesër dhe do të rilidhemi me streuktuar përkatëse atje për ta bërë këtë të mundur. Është shumë e rëndësishme që dhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë e kobshme e mungesës së dozës së parë dhe më tutje, shpresojmë që Kosova do të ketë dhe dozat e saj”, – ka thënë mes të tjerash kryeministri Rama.
Tiranapost.al