Kur do të lirohen masat anti-Covid në vend? Flet Ogerta Manastirliu
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ditën e sotme nga spitali i Elbasanit ka deklaruar mbylljen e pavionëve COVID në spitalet rajonale. Ajo ka bërë me dije se rastet nga rrethet do të referohen në spitalin COVID1, në Tiranë.
“Mbyllja e pavionëve në spitalet rajonale rikthen në një situatë normaliteti këto spitale dhe flasim këtu për Spitalin Rajonal të Elbasanit, i cili sot nuk ka më pacientë të shtruar. Rastet të cilat do të vijnë të triazhohen në spitalin e Elbasanit do të referohen në spitalin Covid1, në Tiranë. Ashtu sikurse janë në një proces të mbylljes edhe pavioni i infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ai në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Këto ishin tre spitalet apo tre pavionet në tre spitalet rajonale që i’u përgjigjën skenarit të dytë”, deklaroi Manastirliu.
Ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë ka thënë se po vlerësohet mundësia e trajtimit të pacienteve në një spital në vetëm një spital COVID, nisur nga shifrat e ulëta të shtrimeve. Ajo ka thënë që jemi në një moment për të riparë masat që janë aktualisht të vendosua.
“Ne sot jemi në një situatë shumë të kontrolluar epidemiologjike, ku fakti që jemi duke mbyllur pavionët në spitalet rajonale dhe jemi duke vlerësuar edhe mundësinë për të përqendruar rastet e pacientëve në një spital të vetëm, duke qenë se kemi pak numra, tregon që jemi në momentin për të riparë masat aktuale që janë aktualisht të vendosura”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se këto dy ditë do të vlerësohet lehtësimi i masave aktuale.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke vlerësuar në dinamikë situatën. Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat. Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale. Pra do të ecim me një gradualitet edhe përsa i përket lehtësimit të masave që aktualisht kemi të përcaktuara”, tha Manastirliu.