Inida Gjata flet për periudhën e ndarjes nga Christian dhe planet për fëmijë: Do provoj In-Vitro
Inida Gjata dhe partneri i saj gjerman Christian Kreuz ishin të ftuar si rrallëherë së bashku në një studio televizive. Të pranishëm mbrëmjen e kaluar në “Soiree”, çifti foli për koncertin që do sjellin bashkë, por zbuluan edhe detaje nga marrëdhënia e tyre.
Një detaj që nuk e kemi ditur për lidhjen e tyre është se kanë qëndruar të ndarë për 1 vit. Një nga ato kriza që mund të ndodhë për çdo çift dhe që ose e ndihmon marrëdhënien për t’u rikuperuar ose i jep fund asaj. Fatmirësisht, për Inidën dhe Christian ndodhi e para.
“Patëm një periudhë të vështirë dhe u ndamë, por prapë e donim njëri-tjetrin. Nuk ishim dot në gjendje të kuptonim si ta çonim më tutje bashkëjetesën në harmoni, por e gjetëm mënyrën. Njerëzit ndryshojnë, por jo gjithmonë ndryshojnë në të njëjtin drejtm. Kur merr një distancë sheh më qartë se si është marrëdhënia”, është shprehur Christian.

Ndërsa Inida ka thënë se një ndarje ua sugjeron të gjithëve, sepse, sipas saj distancimi për pak kohë u bën mirë sidomos çifteve që kanë shumë kohë bashkë.
“Unë do doja t’ua sugjeroja të gjithëve. Krizat në çift, sidomos në marrëdhëniet që kanë kohë që janë bashkë, janë të vazhdueshme dhe të zakonshme. Në momente të caktuara kur je shumë i nxehur mbase merr edhe vendime radikale, të gabuara, të nxituara. Distancimi, të qenit vetëm, na bëri e para që të kuptonim defektet tona. Përpara se të vesh gishtin te tjetri, duhet të shohësh problemet e tua. Unë kuptova që më kishte munguar qetësia, vetmia, koha për vetveten. Kuptova që Christian ka të drejtë në shumë gjëra. Kam disa defekte për të cilat duhet të punoj që t’i ndryshoj, jo vetëm për të përmirësuar marrëdhënien me Christian, por në përgjithësi për të përmirësuar marrëdhënien edhe me të tjerët”, -ka thënë ajo.

Të pyetur nëse kanë plane për një fëmijë, Inida ka treguar se duan shumë, por për arsye shëndetësore të saj nuk kanë mundur dot të bëjnë. Megjithatë, ajo ka shtuar se do të provojnë edhe fekondimin in-Vitro.
“Të dy e kemi menduar, por kjo është një çështje që lidhet me një problem shëndeti që kam unë, që është një gjë jo shqetësuese, por thjesht e vështirëson pak procesin e shtatzënisë. Christian e ka një vajzë 21-vjeçare që ne e duam shumë që jeton në Berlin, nuk jeton me ne, por vjen na takon dhe ne shkojmë ta takojmë. E kemi një gocë, unë e kam më shumë si shoqe. Kemi një takim kur të kthehemi (në Gjermani) me një mjek, për të provuar IVF”, ka rrëfyer Inida.