‘Nuk kam dashur të jem shoqe’, Linda Rama flet për marrëdhënien që ka me Rean
Linda Rama u shpreh sot e ftuar në “Ilva now”, se me Rean nuk ka bërë asnjëherë rolin e shoqes, por është sjellë si nënë dhe ia ka vlejtur. Linda kujtoi një moment gjatë një darke, kur kuptoi se ka bërë shumë mirë që ka vepruar kështu pasi Rea ia vërtetoi.
“Asnjëherë nuk kam pretenduar të jem shoqe me Rean dhe nuk kam dashur të jem shoqe. I dëgjoja shoqet e mia që thonin ‘unë e kam shoqe vajzën’. Unë nuk doja të isha shoqja e Reas dhe gjithmonë ja thoja. Sepse mendoja unë duhet të bëj mamanë dhe nuk e bëj mirë shoqen. Por e bëj shumë mirë në mënyrë unike mamanë. Ky konkluzion nuk është qasje e imja, por e ka shprehur Rea”, u shpreh Linda.
Dhe më pas tregoi: “Doja të ndaja një moment kur unë kam qenë në një vizitë pune në Itali dhe Rea studionte jashtë asokohe, ishte 24-25 vjeç dhe erdhi për të më takuar dhe darkuar së bashku. Ajo ishte me një shoqe dhe unë me dy kolegë të mi. Unë isha duke folur me shoqen e Reas dhe Rea me një kolegun tim. Në një moment mua më dëgjoi veshi një shprehje të Reas: Unë do doja t’i rrisja fëmijët siç më ka rritur Linda mua. Nuk po e besoja që Rea po thoshte atë fjali. Rea ka patur dhe pakënaqësitë e veta, kritikat e veta, është mendjehapur. E ndërpreva bisedën dhe i kërkova ta thonte prapë. Po mami, më tha, nuk ta kam thënë unë ndonjëherë? Jam shumë e bindur sepse në çdo rrethanë që jam më kujtohesh ti dhe unë e di çfarë duhet të bëj. Më përpara kam qenë shumë e bezdisur nga porositë e tua, insistimet e tua, përpjekja për të më orientuar gjithë kohën kurse tani i kuptoj, më tha”.
