4 vite burg për shoferin që përplasi katër vajzat, nëna e njërës nga viktimat: Ju vranë për së dyti
Gjykata e Elbasanit ka dënuar me katër vite burg Behar Pemën, drejtuesi i automjetit që në Shtatorin e kaluar përplasi mjetin “Volkswagen” ku udhëtonin katër vajza.
Ngjarja e rëndë ndodhi në dalje të tunelit Tiranë-Elbasan. Fatkeqësisht, nga aksidenti humbën jetën Lusinda Garunja, 19 vjeç dhe Xhaneta Qallia, 18 vjeç.
Behar Pema kishte një automjet të tipit “Benz” dhe ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi 160 km në orë. Sipas ekspertëve auto-teknikë ai nuk ka frenuar, pasi gjatë ekspertimit në vendin e ngjarjes nuk ka pasur shenja frenimi. Pema rezultoi i dehur në testin e alkoolit të kryer menjëherë pas ngjarjes dhe u vu në pranga nga uniformat blu.
Nëna e të ndjerës Lusinda ka bërë një status në rrjete sociale, ku ka shkruar se ia kishin lënë në dorë drejtësisë, mirëpo sipas drejtësisë jeta e dy vajzave ka vlejtur vetëm 4 vite dënim për autorin.
“Me 13 shtator ne ditelindjen tende Lusi, fryma e jeta jeme, ta moren jeten padrejtesisht… ne nje dite kur si cdo e re don me e gezu, ti me erdhe e pajete e veshun si nuse, ashtu si cdo nane don me e pa bijen e vet, por ne arkivolin e ftofte…
E dje ty e shoqen tande Xheni te vrane per se dyti… ia lame ne dore drejtesise e nuk kerkume vetegjygjesi, e jeta dy vajzave te vdekuna dhe e dy te tjerave qe shpetune nga dora e Zotit vlejti vetem 4 vite denim per autorin…
Si mundet me ndodh e si nuk permbyset kjo bote…. Edhe sa gjame duhet me ndodhe qe i papergjegjshmi me marre denimin e meritum e mos me e pesu edhe shume familje te tjera dhimbjen tone!”, ka shkruar ajo.
Burimi: “Abc News”