Shkolla ngatërron numrat e Amzës, ngelës në gjimnaz por me shkollë të lartë
Emisioni Stop në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme historinë e 3 personave të cilët dikur kanë qenë në të njëjtën klasë në shkollën e mesme profesionale “Arben Broci” në Shkodër në vitet 2002-2007.
Problemi i tyre është se numrat e Amzës rezultojnë të ndryshëm nga numrat që kanë në diplomën e pjekurisë.
Madje njëri prej tyre rezulton që sipas numrit të gabuar të Amzës të jetë ngelës, edhe pse ka përfunduar studimet e shkollës së lartë.
Mirand Pali: Kam mbaruar studimet në vitin 2007, dega mekanikë e përgjithshme. Gjatë këtij viti kisha dëshirë që të vazhdoja fakultet të dytë pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në momentin që u interesova më kërkuan që duhet të fotokopjohej dhe noterizohej diploma e shkollës së mesme dhe e shkollës së lartë. Pasi vajta tek një noter aty afër universitetit, kërkova të noterizoj dokumentacionin përkatës dhe më thanë që diploma e shkollës së mesme që të noterizohet duhet të riciklohet me vulën e Drejtorisë Arsimore të Shkodrës. Vajta te drejtoria, diploma mbrapa mban vulën e Drejtorisë Arsimore të Shkodrës në vitin 2007 dhe firmën e drejtorit që ka drejtuar këtë shkollë nga viti ’90 deri në vitin 2014, kur ka dalë në pension. Më kërkuan që ta sigloj me firmën e drejtorit aktual. Kur erdha tek shkolla, më konfirmuan që dokumenti është fals. Në momentin që njoftova policinë, drejtori tha prit të shikojmë regjistrat e vjetër dhe më nxorri një Amzë tjetër që ndryshon një numër; unë e kam 6633 që kjo Amzë i përket një personi tjetër, ndërsa Amza ime është 6333. Diploma e shkollës së mesme mban një numër të regjistrit 3344, ndërsa tek vërtetimi që është i njëvlefshëm me diplomën Amza është 6333 dhe numri i regjistrit të veçantë nuk ekziston. Amza ime i është dhënë dikujt tjetër.
Aleksandër Vukelaj: Edhe ne e njëjta problematikë. Pasi numri i Amzës që unë kam në diplomë i rezulton dikujt tjetër këtu, jo në emrin tim.
Aleksandër Kronaj: Edhe neve e njëjta gjë, mua më kanë nxjerrë ngelës. Me këtë diplomë jam i regjistruar në fakultet në vit të dytë edhe tani jam ngelës në shkollë të mesme.
Gazetarja e emisionit Stop, Domenika Bajraktari, shkoi në shkollën “Arben Broci” së bashku me 3 zotërinjtë dhe takuan drejtorin aktual të shkollës profesionale.
Aty zbuluan se ka gabime me numrin e Amzës për të gjithë nxënësit e atij brezi. Nga verifikimet rezulton se në numrat e Amzës janë bërë ndërhyrje.
Drejtori i shkollës, Zamir Lacej-Ndodhet tek numri rendor 433, tek gërma “S” ndodhet Saimond Hysaj, i regjistrum në vitin 2005-2006, e shohim masanej në çfarë dege dhe ka numrin e amzës, që i ka vu ai i krimit ekonomik.
Gazetarja-Ky ka filluar në 2005-2006?
Drejtori I shkollës, Zamir Lacej-Po, atëherë Aleksandër Vukelaj është këtu, shife çfarë numri ka!
Gazetarja-6341!
Mirand Pali-Ky mban 6641.
Gazetarja-Kronaj, ja ku je këtu 6324..
Mirand Pali-Këtu është 6624.
Mirand Pali-Nxënës klase, i korrigjum me korrektor, është nxënës klase, shokë i joni.
Mirand Pali-Jo nuk është i joni ai, po Mark Ndoj i korrigjuar, ëë Saimir ky është i joni, po Saimir Ibrahimi nga Kruja, Viktor Zefi pukjan, e kena pas edhe këtë.Erzen Boga nga Burreli, i korrigjum edhe ky.
Gazetarja-I keni patur në klasë këta?
Mirand Pali-Patjetër, të gjithë shokë klase, 6341, i korrigjum edhe ky.
Gabime janë vënë re edhe në regjistrat e shkollës. Nga viti i parë deri në vitin e 4 në regjistra nuk ka numra Amze, ndërsa në atë të vitit të 5-të numri i Amzës përkon me diplomën që kanë zotërinjtë.