Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të gjimnazeve vrapojnë në garën “Fun Run”, nesër maratona e Tiranës
Një ditë para Maratonës së Tiranës, nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të gjimnazeve vrapuan në garën“Fun Run” në bulevardin kryesor të qytetit. Gara nisin në orën 10:00 në Sheshin “Nënë Tereza” dhe vijoi përgjatë gjithë bulevardit gjer në sheshin “Skënderbej” ku u ndanë dhe çmimet për fituesit.
Për vajza “Fun Run” u fitua nga Alesia Dauti, ndërsa në vend të dytë dhe të tretë dolën Ema Fataj dhe Irena Xhaja. Ndërsa për djem, fitues u shpall Edi Devole, në vend të dytë Hajrulla Tola dhe në vend të tretë Parid Hoxha. Të rinjve iu bashkuan në garë duke vrapuar edhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Eugena Tomini, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anisa Ruseti, përfaqësuesi i UINCEF në Shqipërisë, Roberto De Benardi.
Nënkryetarja e Bashkisë Anisa Ruseti falënderoi nxënësit e shkollave të kryeqytetit për pjesëmarrjen e lartë në këtë veprimtari sportive. Ruseti nënvizoi se kjo garë ishte edhe një provë shumë e mirë për atë që Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë. “Çmimi i parë ju takon të gjithëve ju që ia keni dalë, të niseni nga starti dhe të arrini në fishish. Edhe le ta quajmë këtë si një stërvitje shumë të madhe të të gjithë të rinjve të Tiranës, për atë që na pret vitin tjetër, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe ne do të bëjmë një supermaratonë fantastike”, tha Ruseti.
Ndërkaq, nesër do të zhvillohet Edicioni i 5-të i Maratonës së Tiranës e cila tashmë është kthyer në një traditë. Gara do të ketë 4 kategori; Marathon (42.195) Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K dhe “We too” kjo një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive. Intineraret e rinj të certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës – IAAF, do të përshkruajnë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë por edhe në argëtim. Çmimet për fituesit do të jenë të shumta, duke e kthyer garën në një sfidë.
Tiranapost.al