E trishtë/ Temperaturat nën 0 gradë, ndërrojnë jetë dy foshnje nga i ftohti në Siri
Dy foshnja kanë vdekur nga të ftohtit pasi bora e madhe dhe temperaturat e ulta goditën Sirinë veriperëndimore.
Një zyrtar i OKB-së tha se nga i ftohti ka ndërruar jetë një vajzë shtatë ditëshe dhe një vajzë dy muajshe në provincën Idlib.
Rreth 2.8 milionë njerëz kanë kërkuar strehim pasi u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës civile dhjetëvjeçare të vendit. Shumë persona jetojnë në tenda të vjetruara pa rroba të ngrohta dhe karburant për ngrohje.
OKB-ja ka paralajmëruar se situata po përkeqësohet për shkak të një rënieje të rëndë ekonomike në Siri që ka parë dyfishimin e çmimeve të ushqimeve brenda një viti, si dhe mungesën e fondeve për të ofruar ndihmë dimërore dhe rritjen e nevojave.