Sellma e “Love Story”: Kam që 10 vjeç që agjëroj

Në muajin e shenjtë të Ramazanit, mijëra besimtarë myslimanë i përkushtohen ritualit të agjërimit. Ndërkohë janë edhe të rinjtë ata që i janë qasur më shumë kësaj tradite të besimit për t’u ndierë më afër me Zotin, si edhe për të plotësuar detyrat e tyre. Një prej tyre, e cila është edhe pjesëmarrëse në “Love Story” në Tv Klan, Sellma Bakalli tregon eksperiencën e saj dhe lidhjen e fortë me besimin.

Rudina Magjistari: Prej sa kohësh agjëron, është hera e parë sivjet apo ke kohë? Pse agjëron?

Sellma Bakalli: Unë vij nga një familje qytetare durrsake, por edhe fetare. Feja e Islamit është brumosur te unë që në fëmijëri nga gjyshi im sepse është një mysliman shumë i devotshëm, fal 5 vakte. Unë fenë dhe agjërmin e quaj obligim ndaj Krijuesit dhe muajin e Ramazanit e quaj si pastrimin e shpirtit nga mëkatet e gjynahet që kemi bërë gjatë gjithë vitit, si dhe pastrim i trupit.

Muaji i Ramazanit na bën të ndihemi më afër me Krijuesin, na ndihmon të solidarizohemi me njerëzit e tjerë me anën sociale. I ngopuri nuk e beson të uriturin nëse nuk e ndien edhe vetë atë. Ne nuk e ndiejmë dot urinë e të varfërve  ose hallet e problemet e njerëzve nëse nuk i ndiejmë vetë. Muaji i Ramazanit na ndihmon të zhvillojmë ndjenjën e dashurisë, bujarisë si dhe të heqim ndjenjat negative si xhelozia, egoizmi etj.

Rudina Magjistari: Çfarë ndryshimi ndjen tek vetja gjatë muajit të Ramazanit, çfarë ndodh me ty?

Sellma Bakalli: Ndjehem më e lehtë në shpirt, paqësore, pozitive, jeta më duket më e bukur. Nuk ndiej mërzitje ndaj muajit të agjërimit, nuk kam luhatje të humorit. Përveçse si detyrë, e ndiej edhe si kënaqësi.  Kam që 10 vjeç që agjëroj.

Share With:
Translate »
182 Views