30-vjeçarja u masakrua me thikë nga vjehrri në Fier, 3 fëmijët me buqeta me lule sot përcjellin nënën e tyre drejt banesës së fundit, asnjë foto në lajmërimin e vdekjes
Merushe Hazizi, 30-vjeçarja e cila u masakrua ditën e djeshme me thikë nga vjehrri i saj Xhevahir Hoxha, po përcillet në banesën e fundit.
Në ceremoninë mortore të së resë janë tre fëmijët e saj të cilët nga pamjet e siguruara shihen me buqeta në duar, teksa shoqërojnë makinën e funeralit drejt vendit ku do të prehet trupi i pajetë i nënës së tyre.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 12:30 të drekës, ku 61-vjeçari Xhevahir Hoxha masakroi me thikë të fejuarën e djalit të tij, Fatjon Hoxhës, 30-vjeçaren Merushe Hazizi.
Pas konflikteve të shpeshta pasi 61-vjeçari nuk pranonte marrëdhënien mes Hazizit dhe djalit të tij, ka bërë që ai të qëllojë për vdekje me thikë të renë dhe më pas të vetëvaret në pemë në tokën e tij.
Hoxha refuzonte marrëdhënien e tyre pasi 30-vjeçarja ka qenë e martuar më herët dhe nga kjo martesë kishte tre fëmijë, të cilët pasi shkoi të bashkëjetonte me Fatjon Hoxhën i la te familjarët e vet.
Xhevahir Hoxha do të prehet në fshatin e tij në Vidhishtë, ndërsa 30-vjeçarja do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat pranë familjes së saj në fshatin Suk 1.

