11-vjeçarja në Kosovë: Arrestohen 6 persona të tjerë, dyshohen se e kanë trafikuar ne qershor!
Gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer tre vepra penale, ndër to atë të trafikimit të 11-vjeçares së përdhunuar në Prishtinë. Vepra për trafikim dyshohet të ketë ndodhur në qershor. Kjo është vepër e ndarë nga dyshimi për dhunimin që ndodhi në gusht nga pesë vetë.
Në deklaratën e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë e Kosovës thuhet se një ditë më parë janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët janë dërguar në paraburgim prej 48-orësh. Të gjashtë personat e moshës madhore, dyshohen për tre vepra penale në qershor, në periudhën kur e mitura, sipas policisë dhe prokurorisë, ishte raportuar si person i zhdukur.
“Trafikimi me njerëz”, “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi” janë veprat për të cilat ata dyshohen.
“Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftim.
Ndërsa për pesë të dyshuarit për përdhunim, autoritetet në Kosovë kanë caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për secilin. Për ngjarjen, dha dorëheqjen drejtori i përgjithshëm Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti duke cituar arsyet personale dhe ndërgjegjen profesionale”.
Shoqëria civile dhe shumë qytetarë kanë reaguar me zemërim e në 30 e 31 gusht janë organizuar dy protesta në Prishtinë me kërkesa për mbrojtje të grave dhe luftës së dhunës ndaj tyre.