Përse Tiziano Ferro nuk do t`u japë fëmijëve të tij pasaportë italiane
Tiziano Ferro nuk do t`ua japë fëmijëve të tij pasaportën italiane. Në një intervistë për Rolling Stone, këngëtari zbuloi detaje nga roli më i ri që ka marrë pas ardhjes në jetë të dy fëmijëve.
“Në vitin 2019 nisa një rrugëtim të gjatë për të pasur Margheritën dhe Andresin, sigurisht që nuk ishte një shëtitje në park. E vërteta është se çdo rrugë është e lodhshme”, tha Tiziano Ferro për fëmijët që kanë ardhur në jetë nga dy nëna surrogate.
Tiziano Ferro jeton prej disa vitesh në SHBA me partnerin e tij dhe thotë se fëmijët e tyre do të mbajnë vetëm pasaportën amerikane. Vendimin e ka marrë pasi ajo italiane e përjashton bashkëshortin e tij Victor Allen, nga pasaporta e fëmijëve.
“Sot, nëse dua të sjell fëmijët e mi në Itali, e di që bashkëshorti im ka të drejtën e gjysmës së kujdestarisë. Kurse me pasaportën italiane, nëse fëmijët e mi sëmuren, jam vetëm unë përgjegjës për t`i çuar në urgjencë. Kjo është një gjë shumë e gabuar”, tha Tiziano Ferro.
Ai vazhdon më tej: “Përtej të qenit dakord ose jo, moralit, ndjenjës së fajit të shpikur artificialisht, kam menduar gjithmonë se të drejtat e mia nuk heqin asnjë të drejtë të të tjerëve. Dhe kur kjo gjë bën fjalë për të cënuar fëmijët, atëherë lëndon më shumë. Për këtë arsye nuk i kam bërë ende pasaportë italiane, edhe pse e kanë të drejtën. Ndoshta do ta bëj më vonë, ose do ta bëjnë ata vetë. Do të kishin vetëm disavantazhe nëse do të merrnin pasaportën italiane, ndërsa si amerikanë jam i qetë”.