Një këshillë nga Lira Gjika për gratë që pas divorcit kthehen në shtëpinë e prindërve
Si zakonisht, edhe këtë herë pediatrja dhe psikologia Lira Gjika jep disa këshilla në Facebook, por tematikë këtë herë prek më shumë se fëmijët. Bëhet fjalë për situatën pas një divorci, kur zakonisht gratë zgjedhin të kthehen në shtëpinë e prindërve të tyre.
Sipas saj, e mira është që këto gra të jetojnë në shtëpi më vete, me fëmijët e tyre, por në rast të pamundësisë ekonomike, disa këshilla duhen mbajtur parasysh që bashkëjetesa të funksionojë.
“Gruaja kur divorcohet kthehet tek prindërit
Divorci dhe kthimi i gruas tek prindërit është një problem që tregon shumë. Ky veprim duhet trajtuar me shumë kujdes. Arsyet ekonomike mund ta detyrojnë njeriun t`i vendosë vetes shumë kufizime siç mund t`i ndodhë një gruaje të divorcuar që të ardhurat që ka nuk i mjaftojnë. Por arsyeja e vërtetë nuk janë kushtet ekonomike, por mentaliteti i vet gruas që divorcohet, familjes së saj dhe opinionit. Ajo ka frikë të jetojë vetëm se mos e përgojojnë si grua jo të mirë. Këto vitet e fundit, për fat të mirë shumë gra kanë kurajon të jetojnë vetëm dhe të rrisin fëmijët e tyre më shumë dinjitet, edhe pse nuk e kanë aspak të lehtë. Duke pranuar se njeriu është edhe qenie kulturore dhe kultura të manipulon pa e kuptuar, ky fenomen shoqëror duhet pranuar ashtu siç është. Këto gra/nëna që kthehen të prindërit duhet me patjetër të flasin shumë me fëmijët e tyre, t`i pyesin ata si ndihen me këtë ndryshim të madh në jetën e tyre dhe t`u sqarojnë fëmijëve se edhe pse jetojnë në një shtëpi me gjyshërit janë një familje më vete. Nëna mirë është të vazhdojë të sqarojë që ajo nuk është ende gati të jetojë e vetme së bashku me ta. Divorci ka krijuar tek ajo një gjendje të vështirë dhe për këtë arsye ajo ka nevojë të jetë pranë njerëzve që e duan siç janë prindërit e saj. Gjyshërit në këtë rast mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv si për vajzën e tyre dhe për fëmijët duke folur me kujdes, pa mllefe e sharje. Do ishte mirë që kur të hynin në dhomën ku janë vendosur vajza dhe fëmijët të trokisnin. Dhe nëse ata duan vërtet të mirën e fëmijës këtë rregull duhet ta respektojnë me rigorozitet të plotë që fëmija të kuptojë kufijtë e familjes së tyre, ndryshe krijohet një konfuzion emocional që jo rrallë dëmton shëndetin mendor”, shkruan Lira Gjika.