2-vjeçari shpëtohet nga goja e hipopotamit
Një hipopotam ka sulmuar një djalë 2 vjeç në Uganda, ai gëlltiti gjysmën e trupit të tij e më pas e pështyti.
Sipas informacioneve fëmija është sulmuar më 4 Dhjetor rreth orës 15:00. Djali i identifikuar nga policia e Ugandës si Iga Paul kishte qenë duke luajtur në shtëpinë e tij pranë liqenit Katwe.
“U desh një njeri guximtar si Chrispas Bagonza për ta shpëtuar viktimën. Ai e gjuajti me gurë hipopotamin duke e trembur kështu dhe duke e bërë që ta lironte viktimën e tij”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Forcave Policore të Ugandës.
Menjëherë pas ngjarjes djali u dërgua në një klinikë pranë vendngjarjes e më pas u transferua në Spitalin Bëra, në Ugandën perëndimore.

Sipas policisë, fëmija tashmë ka dalë nga spitali pasi gjendja e tij shëndetësore u përmirësua. Para se t’u dorëzohej prindërve, djaloshi bëri edhe vaksinën kundër tërbimit.
“Edhe pse hipopotami u frikësua dhe shkoi në liqenë, të gjithë banorët afër zonave të tilla duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun që vjen nga kafshët e botës së egër. Këto kafshë instinktivisht i shikojnë njerëzit si një kërcënim dhe kanë reagime agresive ndaj tyre”, u shprehën autoritetet.
Të njohur si një nga kafshët më të rrezikshme në planet, hipopotamet mund të ndajnë një kanoe në gjysmë me nofullat e tyre të forta.