Babai merr djalin për pushime në Turqi e zhduket, kërcënon ish-bashkëshorten: Nuk do ta shohësh kurrë!

Një qytetare nga Tirana tregon për emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan se në vitin 2020 ka bërë divorc me ish-bashkëshortin dhe nga kjo martesë ka një fëmijë 6 vjeç.

Sipas vendimit të gjykatës, babai duhet ta takojë fëmijën 1 herë në javë dhe për pushime. I ati kërkoi ta merrte djalin me pushime në Turqi dhe u bë një prokurë, ku djali do qëndronte me babain nga data 21 Tetor deri në datën 5 Nëntor.

Por kaloi 1 muaj dhe babai nuk e ktheu djalin. Madje, në një prej komunikimeve të rralla ish-bashkëshorti i tha se nuk do të kthehej më e nuk do ta shihte më djalin.

Zonja tregon, se shkoi në Turqi dhe e kërkoi kudo, madje bëri edhe kallëzim andej, ku po kryhen veprime për ta gjetur të birin.

Denoncuesja: Jam një qytetare nga Tirana, kam një problem me të atin e fëmijës tim. Jemi divorcuar që në vitin 2020 me dokumentacion sepse bashkë kemi goxha kohë që jemi të ndarë dhe kemi nj fëmijë pothuajse 6 vjeç, mbush pas një jave.

Problemi është që ne kemi një vendim gjykate që e përcakton që ai mund ta takojë fëmijën e tij vetëm 1 herë në javë. Kujdestaria e fëmijës është e gjitha e imja, thjesht ai ka të drejtë që ta takojë fëmijën dhe ta marrë sipas mundësive që i kemi të dy dhe sipas një prokurore. Rrjedhimisht dëshiroi që të ikte për pushime në Stamboll dhe më kërkoi që ta merrte djalin me vete për një periudhë të shkurtër nga data 21 Tetor deri më 5 Nëntor. Javën e parë çdo gjë në rregull me idenë që nuk kishte internet dhe nuk patëm komunikim të mjaftueshëm, por kjo gjë vazhdoi të degradojë derisa vazhdoi në komunikime të tipit që unë nuk do ta shikoj më fëmijën tim dhe do të jetë e pamundur që unë të jem afër fëmijës tim.

Kam bërë një kallëzim në Komisariatin Numër 4 nga aty dosja kaloi në Prokurori, por pas afateve të caktuara, shkova, pyeta dhe nga prokurorja mu komunikua që ka mosfillim të çështjes sepse sipas saj nuk shikon vepër penale dhe më komunikoi që “më duhet të lidhem me Gjykatën Civile për situatën”.

Pas 2-3 ditësh shkova në Stamboll sepse kisha disa adresa të zotërisë, kam shkuar dhe kam kontrolluar atje rreth e përqark për personin. E pamundur gjetja e tij. Më pas kam shkuar në Stamboll hë Prokurori. Ndryshe nga këtu tek ne, na kanë pritur shumë mirë dhe duke më dhënë dhe shpresë dhe duke marrë çdo fakt për bazë si e si ta gjejmë djalin sa më parë.

Në këto momente jam thjesht duke pritur pasi nuk di çfarë të bëj më. Kërkoj të më kthehet djali dhe e dyta, kërkoj të vendoset njëfarë drejtësie sepse është e pamundur të të humbasë fëmija në këtë formë sepse është e pamundur që të firmosësh një prokurë dhe ajo të mos ketë asnjë vlerë dhe institucionet tona të mos ndërmarrin asnjë veprim dhe aq më pak të thonë që prej tyre, kjo i duket se nuk ka një vepër penale.

Zonja bëri kallëzim dhe prokuroria vendosi mosfillim të procedimit penal pasi nuk ka vepër.

Denoncuesja: Zonja Prokurore kam ardhur këtu tek Prokuroria dhe doja të ju takoja. Unë jam një qytetare dhe kam bërë një kallëzim për fëmijën që është me të atin jashtë dhe doja të ju takoja.

Prokurorja: Po, po e mbaj mend. Unë e kam mosfilluar tani, nuk ke pse më takon mua. Përse do më takosh?  Ke ndonjë të dhënë të re?

Denoncuesja: Unë nuk kam dosjen dhe kam qenë dhe jashtë për këtë çështje dhe jashtë është filluar, këtu jo prandaj po them.

Prokurorja: Në qoftë se do kopje të dosjes, do bësh kërkesë me shkrim dhe do të jepet kopja e dosjes!

Denoncuesja: Po arsyeja e mosfillimit të procedurës?

Prokurorja: Ta kam dhënë në vendim. Duhet ta ndjekësh në gjykatë! Është çështje, që ndiqet nga ty në gjykatë, jo në prokurori.

Nëna e fëmijës kërkon që të ketë komunikim me fëmijën e saj teksa shton se të atit të fëmijës nuk ia ka ndaluar të takojë të birin, por thotë se mënyra si po e mban ai nuk është as e drejtë dhe as normale.

Gazetarja: Sipas prokurores nuk ka problem sepse fëmija është me babain apo jo?

Denoncuesja: Sipas saj është krejtësisht normale, por që të mos kesh komunikim në asnjëlloj aspekti, nuk është rasti i parë që një baba mund të dëmtojë fëmijë. Normalisht që kjo gjë është një vepër penale. Unë të paktën duhet të kem komunikim me fëmijën tim. Le të jem unë në kontakt dhe djalin dhe ai ta mbajë sa të dojë, nuk është i ndaluar që të rrijë me fëmijën, por mënyra se si ai po e bën nuk është e drejtë dhe nuk është normale.

Nga ana tjetër, babai i fëmijës i thotë ish-bashkëshortes se nuk do të vijë nga Turqia  dhe rrjedhimisht as djalin nuk pranon që ta marrë me vete në Shqipëri.

Babai : S’kam terezi as të bëj 300 km të flas me ty, asgjë. Kishe ndonjë gjë për të thënë?

Nëna: S’ka nevojë të bësh 300 km, thjesht të presësh biletën dhe të vish në Tiranë! Kaq!

Babai: Nuk kam për të ardhur më. Për çfarë të vij?

Nëna: Shiko, të lutem hajde! Të lutem! Hajde më sill djalin, ose më thuaj të vij të marr djalin! Kaq!

Babai: Jo, pra!

Nëna: Nuk më duhesh ti! Djalin!

Babai: S’kam për të ardhur!

Avokatja Eda Grimci shpjegon emisionin “Stop” se kemi të bëjmë me vepër penale, pasi bëhet fjalë për “rrëmbim të mituri” dhe “mosrespektim të vendimit të gjykatës”.

Avokatja: Nga ana ligjore këtu jemi në rastin e rrëmbimit të një të mituri dhe të mbajtjes me forcë sepse nuk e dimë nëse fëmija është në kushtet që dëshiron të rrijë tek babai, apo babai e mban dhe fëmija gjendet përballë faktit që është me prindin dhe nuk ka mundësi për t’u kthyer dhe ndoshta nuk ka komunikim as nëna me fëmijën sepse i ati e pengon këtë gjë.

Në legjislacionin shqiptar, parashikohet “rrëmbimi i të miturit”, është një vepër penale që dënohet me burgim për në kushtet kur mbahet me dhunë, me forcë, për interesat e përfitimit monetar apo për shkaqe të tjera.

Në fakt kemi një boshllëk në legjislacionin shqiptar sepse nuk parashikohet rrëmbimi prindëror. Në rajon dhe në Evropë kjo është një vepër penale e dënueshme me dhunë. Në legjislacionin shqiptar, kjo nuk parashikohet si vepër penale dhe konsiderohet si çështje civile. Në këndvështrimin tim dhe referuar dhe të drejtës, Gjykatës të së Drejtave të Njeriut, konventave të ndryshme, jemi në kushtet që nëse nuk parashikohet “rrëmbimi prindëror” në Kodin Penal, parashikohet mjaft qartë që edhe pengimi i mosekzekutimit i një vendimi gjykate, është vepër penale dhe kur zonja i është drejtuat gjykatës për çështjen e rrëmbimit, unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me 2 vepra penale, është “rrëmbimi prindëror” dhe kemi të bëjmë dhe me veprën tjetër që është “vendimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Gjendja është e tillë: Duke qenë se ka një vendim gjykate, këtu jemi në kushtet e pengimit të ekzekutimit të nje vendimi gjykate.

Share With:
Translate »
104 Views